Ndërlidhjet

IS-i, Nica dhe xhihadizmi evropian


David Patrikarakos

Brukseli, Parisi (dy herë) dhe tash Nica: katër sulme të tmerrshme xhihadiste për vetëm 18 muaj. Sadizmi këmbëngulës i grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka arritur në Evropë, dhe duket se problemet tona posa kanë filluar.

Javën e kaluar, më 14 korrik, derisa mbaheshin festimet për Ditën e Bastijës, që praktikisht është Dita e Pavarësisë së Francës, ka ndodhur sulmi në shetitoren kryesore të qytetit bregdetar mesdhetar të Nicës, gjatë së cilit, tuniziani me vendbanim në Francë, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, qëllimisht e ka drejtuar kamionin 19 tonësh në turmën e njerëzve, duke i vrarë 84 vetë dhe plagosur më se 300 të tjerë.

Nicë – rrëkeja e gjakut e vërshoi detin

Derisa mijëra njerëz ishin tubuar për ta parë shënimin e kësaj dite të rëndësishme për Francën, ku përfshiheshin edhe fishekzjarret e mbrëmjes, sulmuesi i godiste njerëzit me kamion sa më shumë që mundej. Po ashtu, ai i ka këmbyer disa të shtëna me policinë, por ia doli të vazhdoj për afro 1.5 kilometra, para se përfundimisht pjesëtarët e rendit ia dolën ta ndalin kamionin dhe ta vrasin shoferin e tij.

Megjithatë, qindra trupa të goditur gjatë zik-zakeve të kamionit dhe rrëke të gjakut e vërshuan sipërfaqen e detit. Ishte një akt i vërtetë i mizorisë.

Zyrtarët e sigurisë franceze janë përpjekur për ta shpjeguar këtë situatë, pasi fillimisht dukej se personi, Lahouaiej-Bouhlel, mund të ishte “një ujk i vetmuar”, që me gjasë ka mundur të ketë probleme psikike.

Por, doli se ai kishte pasur të kaluar kriminale, kryesisht për dhunë dhe vjedhje të vogla dhe me probleme psikiatrike. Por, megjithatë ai nuk ishte në listën e të dyshuarve xhihadistë të inteligjencës së Francës.

Dy ditë më vonë, grupi ekstremist, Shteti Islamik, e mori përgjegjësinë për sulm, duke shpallur në agjencinë e vet të lajmeve, Kanali Amaq, se “ekzekutuesi i operacionit vdekjeprurës në Nicë ishte ushtar i Shtetit Islamik dhe se ai ka ekzekutuar operacion në përgjigje të thirrjeve për t’i marrë në shënjestër shtetasit e vendeve të koalicionit, që lufton kundër Shtetit Islamik”.

Shqiptarë të arrestuar për furnizim me armë

Duket se sulmuesi, Lahouajiej-Bouhlel, mund të ketë qenë anëtar i rrjetit më të gjërë. Më 17 korrik janë arrestuar dy shqiptarë të dyshuar se e kanë furnizuar atë me revole automatike të kalibrit 7.65 m, që ai e ka përdorë gjatë të shtënave kundër policisë.

Por, sipas historianit dheekspertit për çështjet arabe, Pieter Van Ostaeyen, vonesa ndërmjet sulmit dhe marrjes së përgjegjësisë nga ana e IS-it për këtë sulm, e shtron dyshimin për lidhjen e vërtetë të tij me grup. Duket se edhe autoritetet francze janë afër këtij vlerësimi.

“Duket se ai u radikalizua shumë shpejt”, tha më 17 korrik, ministri i brendshëm francez, Bernard Cazenueve.

“Ky është lloj i ri i sulmit. Ne po ballafaqohemi me individë që janë të ndjeshëm ndaj mesazhit të IS-it dhe janë të përkushtuar për aksione ekstremisht të dhunshme, pa qenë domosdoshmërisht të stërvitur nga ata”.

Strategjia e IS-it nga viti 2014

Kjo është në harmoni me strategjinë e IS-it. Më 22 shtator të vitit 2014, zëdhënësi i IS-it, Abu Muhammad al-Adnani ash-Shami, i kishte këshilluar ata që dëshirojnë të bëhen xhihadistë vahabistë, që të ndërmarrin sulme me mjete të ndryshme, me të cilat mund t’i sulmojnë të pabesët.

“Nëse ju nuk jeni në gjendje ta gjeni një pajisje të improvizuar eksploduese ose plumb, atëherë amerikanët, francezët, që nuk besojnë ose secilin aleat të tyre, qëlloje në kokën e tij me gur ose preje atë me thikë ose shkele me automobil”, thuhej në këshillën e këtij zëdhënësi.

Historiani Van Ostayen, nëpërmjet emailit ka shkruar se “kjo thirrje për t’i vrarë kryqtarët është përsëritur shumë herë prej atëherë”.

Por, me gjasë, gjurma reale e gjithë kësaj ka filluar në vitin 2004, kur strategu islamik, Abu Bakr Naji, e ka publikuar online shkrimin, Menaxhimi i Mizorisë, që është një pamflet për strategji me të cilën al-Kaida, eventualisht, do ta formonte Kalifatin Islamik.

E publikuar bile para se IS-i të paraqitej në skenë në formën e tashme, prej atëher është shndërruar në udhëzues të parimeve; raportohet se është lexur shumë në mesin e komandantëve të grupit.

Qendrore në këtë pamflet të personit, Abu Bakr Naji, është se sa më tepër përgjigje ushtarake nga perëndimi të provokohet nga ekstremistët islamikë, aq më tepër forca do të përdoren dhe rrjedhimisht, mbështetja publike dhe zemërimi në mesin e komunitetit global mysliman të botës do të shtohet. Nëse asgjë tjetër, Lufta në Irak i ka dhënë atij të drejtë në këtë pikë.

Shembulli më aktual i këtij vlerësimi u bë në nëntor të vitit të kaluar, kur vetëm dy ditë pas sulmit në sallën e koncerteve Bataclan, nga i cili u vranë 130 vetë, Franca i lansoi sumet më të gjëra të bombardimeve deri tash kundër IS-it.

Praktikisht, presidenti i Francës, Francois Hollande, i ka shkuar për shtati teorisë së Najit. Por, ai nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi opinioni i zemëruar francez kishte nevojë të shihte se lideri i tyre po ndërmerrte aksion të qartë dhe të vendosur.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka marrë strategjinë e Najit dhe e ka përmirësuar atë, kryesisht duke i detyruar shtetet perëndimore në dyfishimin e përpjekjeve duke i përdorë aktet terroriste të kryera zykonisht nga militantët lokalë, për të krijuar ndarje dhe me gjasë urrejtje, ndërmjet pakicës myslimane dhe shumicës në shtetet perëndimore.

Kjo formulë ende është efektive në mënyrë vdekjeprurëse: sa më tepër xhihadistë të rritur në ato vende, pra xhihadistët lokalë, që paraqiten në Francë, Belgjikë dhe Britani, aq më tepër qeveritë përkatëse duhet t’i monitorojnë komunitetet e tyre myslimane.

Sa më shumë që i monitorojnë ata, aq më tepër nxitet ndjenja për pakënaqësi në mesin e tyre. Sa më e madhe të jetë pakënaqësia, aq më shumë xhihadistë krijohen. Ky është definimi i qarkut brutal.

Logjika e hakmarrjes: gjak për gjak

Se kjo strategji po funksionon, mund të shihet qartë. Sulmi në Francë ishte dhuratë për të djathtën franceze. Një ditë pas sulmit, Marine Le Pen, lidere e Frontit Kombëtar, që është parti e krahut të djathtë ekstrem, e publikoi deklaratën në të cilën kërkohej që “të shpallej luftë” kundër “goditjes nga fundamentalizmi islamik”.

Disa sulme të ardhshme sikur ky në Nicë mjund të ndikojnë që ajo të bëhet presidente e Francës. Ajo që mund të pasojë, mund ta destabilizoj gjithë Evropën.

Njëherësh, një gjë është e sigurt: xhihadizmi evropian është këtu për të qëndruar. Dhe të gjitha vendet perëndimore, që kanë marrë pjesë në koalicionet ushtarake ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, janë në shënjestër.

“Kjo është logjika e hakmarrjes - sy për sy, gjak për gjak – dhe frikësohem se kjo klimë e terrorit do të na ndjek për shumë vite të ardhshme”, thotë eksperti, Van Ostaeyen.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG