“Serbia gjatë gjithë procesit të privatizimit të Brezovicës ka pasur tentativa që ta dështojë. Ka pasur edhe një letër që iu është dërguar investitorëve potencial nga ana e Serbisë, por nuk besoj që ka pasur rol vendimtar. Ne si institucione dëshirojmë të punojmë me investitorë të cilët e njohin sovranitetin e këtij vendi, të cilët janë në gjendje të vijnë dhe të punojnë sipas Kushtetutës së këtij vendi”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka përmbyllur tashmë si të dështuar procesin e koncesionimit të qendrës turistike “Brezovica”. çfarë është duke u bëra tani?
Hykmete Bajrami: Nuk është Qeveria e Kosovës ajo e cila ka dështuar. Në këtë proces ka dështuar një tentativë e prokurimit. Procesi i privatizimit dhe bërjes së projektit të Brezovicës ka filluar në vitin 2012, ne si qeveri Mustafa kemi marrë mandatin në dhjetor të vitit 2014 dhe kur kemi ardhur kemi gjetur një ofertë e cila ka qenë e dorëzuar, pra është një proces që ka filluar shumë më herët.
Ne kemi pasur vetëm një ofertë, gjithashtu kemi gjetur të përfunduara të gjitha proceduarat e prokurimit, te gjitha këto kanë ndodhur para se ne ta marrim mandatin qeverisës. Pastaj ne kemi vazhduar me formalitetin e nënshkrimit të kontratës.
Rrjedhimisht investitori nuk pati mundësi që për 12 muaj t’i mobilizojë 163 milionë euro që ishin të parapara të mobilizohen sipas kontratës. Ne si Komitetet ndërkombëtar e kemi shqyrtuar, kemi pasur edhe ndihmën e këshilltares së transaksionit nga USAID dhe fatkeqësisht u dasht që të shpallet si prokurim i dështuar.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të bëhet tani me projektin e Brezovicës?
Hykmete Bajrami: Për momentin jemi duke punuar në një strategji për Brezovicën. Janë dy skenare që jemi duke i diskutuar, njëri është përmes Ligjit për investime strategjike i cili nëse do të kalojë në një të ardhme të afërt ne do t’i qasem investitorëve përmes këtij ligji.
Në rast se ky ligj nuk kalon në një të afërme të afërt, skenari tjetër është që ne të shkojmë me procedurat e rregullta të prokurimit. Ka një numër të madh të kompanive që kanë qenë të kontaktuara nga konsorciumi francez të cilat janë të interesuar që në forma të ndryshme të bëhen pjesë e projektit të Brezovicës.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kohore konserciumi francez ka bërë përpjekje të papara për të gjetur investitorë dhe për të gjetur financa. Mendojmë që nuk do ta kemi të vështire me ecjen tutje të këtij projekti.
Radio Evropa e Lirë: Kush e pengoi këtë proces? A kishte ndikim Serbia në të apo Kosova nuk ishte e përgatitur mirë për të hyrë në një koncesionim të tillë?
Hykmete Bajrami: Ka pasur tentativa gjatë gjithë procesit, Serbia po tenton të ngadalësojë qoftë agjendën ekonomike qoftë atë të integrimit evropian të Kosovës apo anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë.
Në rastin e Brezovicës ka pasur tentativa,ka pasur edhe një letër që iu është dërguar investitorëve potencial, por nuk besoj që ka pasur rol vendimtar. Ne si institucione dëshirojmë të punojmë me investitorë të cilat e njohin sovranitetin e këtij vendit të cilët janë në gjendje të vinë dhe të punojnë sipas Kushtetutës së këtij vendi.
Ne nuk mund të punojmë me kompani të cilat më shumë i besojnë letrave që dërgon Serbia, që nuk e ka asnjë të drejtë legjitime mbi asetet që gjenden në territorin e Kosovës, sesa t’i besojnë institucioneve të Kosovës.
Ne si qeveri në kontratën paraprake që kishim kemi marrë përgjegjësinë e plotë për secilën pëllëmbë dhe secilin aset në projektin e Brezovicës.
Ata që dëshirojnë të investojnë në Kosovë duhet ta na njohin neve si vend, nëse nuk na njohin si shtet, si institucione, si gjykata ata nuk mund ta realizojnë investimin e tyre.
Sa i përket përgatitjeve tona, ne si qeveri kemi qenë të përgatitur mbi këtë projekt,kemi përmbushur të gjitha kushtet qysh në afatin e parë, edhe ne kemi i pasur obligime të cila i kemi përfunduar, siç është vlerësimi i pronave, vendimin për shpronësim dhe gjithçka tjetër , pra nuk ka pasur asnjë kusht të vetëm që nuk është plotësuar nga ana e qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: Projektligjit për Investime Strategjike, për të cilin është besuar se do të ndihmojë në sjelljen e investitorëve të huaj dhe rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik, nuk arriti të kalojë në kuvend. Pse ndodhi kjo?
Hykmete Bajrami: Ligji ka qenë kërkesë në këtë rast e partnerëve të koalicionit. Ne si ministri kemi filluar të bëjmë një skanim ne vendet e rajonit për të parë se si cilat janë incentivat të cilat ato vende kanë, pasi që në konkurrencë për tërhejqen e investimeve jemi në konkurrencë më këto vende.
Ne kemi parë se një nga hendikepet janë procedurat e gjata të prokurimit.
Këtë ligj e kemi konsideruar të nevojshëm, duke pasur parasysh procesin e privatizimit, ku shumë asete janë privatizuar dhe nuk janë rivitalizuar asnjëherë, kemi pasur privatizim të të klasave bujqësore që nuk janë blerë nga njerëz të cilët nuk janë blerë nga njerëz që dëshirojnë të merren më bujqësi por janë blerë rër të ju rishtur fermerëve dhe kjo nuk ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit
Në atë kohë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi kur ishte në postin e zëvendëskryeminstritkanë kërkuar nga ne si ministri që ne të fillojmë krijimin e një baze ligjore për negociata të drejtpërdrejta me investitorët.
Ligji është harmonizuar në mes të grupeve parlamentare dhe partnerëve të koalicionit dhe ka qenë komplet e befasishme mos votimi i ligjit, ajo që ka qenë e papritur ishte fakti se deputet nuk merrni pjesë në votim.
Deputeti e ka për obligim të në momentin kur është në sallë të votojë kundër ose të abstenojë, por mos marrja pjesë në votim ishte diçka që është edhe shkelje e Kushtetutës, pra është edhe e pranueshme.
Radio Evropa e Lirë: A po ngjallë ai përplasje mes partnerëve të koalicionit?
Hykmete Bajrami: Natyrisht, mua si ministre pasi që kemi qenë sponzorizues të këtij ligji nuk më ka ardhur fare mirë. Nëse ka vërejtje, duhet të diskutohet duhet të thuhen argumentet pse ligji nuk po kalon,kështu që mos marrja pjesë në votim ka qenë e befasishme. Në mungesë të argumenteve nga ana e deputetëve që nuk merrnin pjesë, unë kam mundur të mendojë që ata mbrojnë interesat e tyre personale apo grupore, sepse ne e dimë që pjesë të strukturave të ndryshme institucionale politike kanë marrë pjesë në procesin e privatizimit, procesi mund të ketë qenë i rregullt ose jo.
Radio Evropa e Lirë: Ky projektligj vlerësohet nga ekspertët e ekonomisë se është në kundërshtim me disa nga ligje në fuqi dhe parimet e Bashkimit Evropian, kur kihen parasysh çështjet që lidhen me prokurimin publik. Sa qëndron kjo?
Hykmete Bajrami: Pyetja ime edhe me ekspertët edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian ka qenë kjo. ‘Më thoni ju mua se si ka mundësi që Kroacia e cila është anëtare e BE-së sa ka procedura të negocimit direkt të dhënies së shfrytëzimit të tokës për investitorët. Janë edhe shumë shtete tjera të cilat kanë këto procedura të dhënies në shfrytëzim të aseteve për investitorët.
Ne në fakt nuk mund të bëhemi më evropian se evropianët.
Ne kemi 35 për qind të papunë dhe ne duhet të krijojmë kushte për investitorët e huaj që ata i kërkojnë për të krijuara këto vende punë. Sot qeveria nuk mund të hapë vende pune, i gjithë punësimi mund të krijohet vetëm përmes zhvillimit të sektorit privat.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Kosova radhitet në mesin e vendeve më të korruptuara, pse duhet investitorët të besojnë dhe të futen në investime këtu?
Absolutisht e di që korrupsioni është një nga problemet më të mëdha të kësaj shoqërie, unë mendoj që kemi bërë një luftë mjaft të madhe ndaj korrupsionit dhe kanë qenë aksione konkrete kur është luftuar korrupsioni.
Për 17 vite me radhë ka pasur asete të uzurpuara dhe ka filluar lirimi i tyre, gjatë këtij mandati nuk ka pasur asnjë aferë korruptive të zyrtarëve të lartë.
Besoj që ka pasur aksione konkrete dhe indikatorë që ne kemi vullnetin për të luftuar korrupsionin.
Sot zyrtarët tonë nuk guxojnë të kërkojnë të korruptohen.
Ne po kërkojmë që së bashku të gjithë ta luftojmë këtë dukuri. Lë të vijnë bizneset me dëshmi se ato kanë qenë në njëfarë formë të shantazhuara apo iu është kërkuar para për shërbimin që kanë marrë, ne do të sigurohemi që ata njerëz asnjëherë të mos punojnë ne administratën publike.
Facebook Forum