Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cilësoi punimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, për hetimin e një varreze të dyshuar nga periudha e luftës, si “jo qëllimmira” dhe që, sipas tij, provojnë të “politizojnë çështjen e objektit të Kishës” që gjendet në oborrin e Kampusit të Universitetit.
Stojanoviq, që përcolli të mërkurën fillimin e punimeve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në hetimin e terrenit për varrezën ku dyshohet të jenë varrosur viktima shqiptare, tha se “Kisha ka një rëndësi jetike për serbët e Kosovës”.
Duke theksuar se “nuk ka asnjë kundërshtim për gjurmimin e cilitdo vend për varrezë”, Stojanoviq tha se “nuk jemi të bindur se ekziston një qëllim I mirë për ta gjetur një varr ose varrezë dhe kjo po politizohet me qëllim që cështja e këtij objekti të shndërrohet në dicka tjetër dhe të vendoset në një kontekst negativ”.
Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, filloi gërmimet afër një Kishe Ortodokse Serbe në Prishtinë, që gjendet në kampusin e UP-së, me dyshimin për ekzistencën e një varreze nga periudha e luftës.
“Unë pres që kur të kryhet kjo që ka filluar, të gjithë ata që kanë filluar këtë nismë që këtu të gjurmohet, ta mbështesin iniciativën tonë që kjo faltore të përfundojë dhe t’i vëmë pikën kësaj cështjeje. Do të insistojmë që kjo Kishë të përfundohet dhe t’I kthehet qëllimit të saj, sepse është e ndërtuar si Kishë që njerëzit të falen në të dhe jo si dicka tjetër".
"Sepse kjo është një cështje me përparësi dhe cështja me e rëndësishme për serbët në Kosovë dhe dua që t’ju bëj thirrje të gjithëve që ta pranojnë si të tillë dhe jo që kjo temë, tema e kësaj faltore dhe Kishe të politizohet dhe të shtyhet në cfarëdo konteksti tjetër përvec atij që I takon: se kjo është faltore e Kishës Ortodokse Serbe dhe I popullit serb që jeton këtu”, tha zëvendëskryeministri I Kosovës, Branimir Stojanoviq.
Kisha në oborrin e Kampusit të Universitetit të Prishtinës, filloi të ndërtohej në vitin 1992, në periudhën e administrimit serb të Kosovës.
Kisha ka ngjallur kundërshtime dhe debate ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesit politikë serbë kanë këkruar zyrtarizimin e saj dhe përfundimin e punimeve në këtë objekt. (REL)