Ndërlidhjet

Dhuna, mjet ‘tradicional’ shqiptar për disiplinim të fëmijëve


Ilustrim
Ilustrim

Dhuna fizike ndaj fëmijëve në Kosovë, si në familje ashtu edhe në shkolla, është mjaft e shprehur dhe përdoret si formë për të disiplinuar fëmijët. Në Kosovë, dhuna fizike ndaj fëmijëve nga shoqëria, në përgjithësi, konsiderohet një gjë normale, e cila duhet bërë në raste të caktuara.

Këto janë disa nga vlerësimet që dhanë për Radion Evropa e Lirë psikologë dhe udhëheqës të UNICEF-it në Kosovë, përkatësisht Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë.

Laila Omar Gad, udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se fenomeni i dhunës ndaj fëmijëve në Kosovë është mjaft i shprehur.

“Kemi bërë një hulumtim për të parë pse ka përsëritje të dënimit të dhunshëm të fëmijëve në Kosovë. Pse dënohen fëmijët dhunshëm në Kosovë dhe pse po përsëritet kjo? Dhe kemi parë se në Kosovë ka një pranim të dhunës ndaj fëmijëve, pavarësisht se e dimë që nëse zhvillohet dhunë tek fëmijët atëherë kjo shkakton probleme në mirëqenien e tyre më vonë”, thotë Omar Gad.

Përqindja më e lartë e fëmijëve të moshës 1 – 14 që kanë përjetuar dhunë të rëndë fizike në muajin e fundit, sipas hulumtimit të bërë, shpjegon Omar Gad, jetojnë ne zona rurale.

Hulumtimi ka gjetur se fëmijët që jetojnë në ekonomi më të varfra familjare “përjetojnë ndëshkime më të rënda fizike sesa ata që jetojnë në ekonomi familjare të pasura”.

Psikologët në Kosovë nivelin e lartë të dhunës fizike ndaj fëmijëve e cilësojnë shqetësues.

Dashamir Bërxulli, profesor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqëria në përgjithësi në Kosovë e praktikon dhunën fizike tek fëmijët dhe e konsideron si një gjë normale, pavarësisht pasojave.

“Dhuna në shoqërinë tonë është prezente në mënyrë tradicionale, si një nga mjetet për t’i disiplinuar fëmijët dhe për të ndëshkuar ata për veprimet të cilat nuk janë në pajtim me normat shoqërore.”

“Pavarësisht që kemi një kornizë ligjore, e cila është bashkëkohore dhe në avancim e sipër, në përgjithësi, pjesa informale i vendos fëmijët nën presion dhe në dhunë fizike, gjë e cila pranohet dhe tolerohet nga shoqëria”, thekson Bërxulli.

Psikologu Bërxulli thotë se dhuna ndaj fëmijëve bëhet si pasojë e shkathtësive të dobëta prindërore, aftësive të ulëta të komunikimit, si dhe paaftësisë së prindërve për të kuptuar dinamikat zhvillimore të fëmijëve të tyre.

Pasojat nga dhuna fizike që iu bëhet fëmijëve, shton Bërxulli, janë të shumta dhe shprehen në periudhat e mëvonshme, kur ata fëmijë arrijnë moshën e rritur.

“Dhuna është një lloj traume. Fëmijët janë të pasigurt dhe janë të varur emocionalisht nga prindërit e tyre... janë të varur në pikëpamje edhe të ushqimit dhe strehimit,. Në këtë pikëpamje ata nuk reagojnë shumë kundër dhunës dhe ato reagime i shprehin me vonë”.

“Një fëmijë që mësohet se dhuna është mjet për t’i zgjidhur problemet e tyre në shoqëri nuk investon tek vetja në planin e komunikimit, ndiehet i pasigurt, nuk iu beson edhe njerëzve më të besueshëm...prandaj kemi probleme në planin e tyre psiko-social”, sqaron Bërxulli.

Aktet e dhunës fizike, shton psikologu Bërxulli, kanë pasojë edhe në shëndetin mental të fëmijës.

Thuhet se raportimi idhunës ndaj fëmijëve është më i ulët se sa është i pranishëm realisht në shoqëri.

Në Policinë e Kosovës, ndërkohë, thonë se ka rritje të raportimit të rasteve të keqtrajtimit të fëmijëve në Kosovë. Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se shtimi i rasteve të dhunës fizike ndaj fëmijëve është dukuri shqetësuese. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG