Ndërlidhjet

Kërdi sulmesh në aeroportin e Stambollit


Pamje nga shpërthimi në Stamboll
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Pamje nga shpërthimi në Stamboll

Së paku 36 persona janë vrarë dhe 147 persona të tjerë janë plagosur në sulmet me bomba dhe të shtëna armësh në Aeroportin Ataturk të Stambollit, mbrëmjen e së martës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i dënoi sulmet, duke thënë se “civilë të pafajshëm” janë viktima. Ai tha se sulme të tilla “të urryera” mund të ndodhin në çdo aeroport në botë.

“I bëjmë thirrje botës, sidomos vendeve perëndimore, që të marrin qëndrim të fortë kundër terrorizmit”, tha Erdogan.

Ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se misioni diplomatik i Kosovës në Turqi, edhe në Ankara, edhe në Stamboll, është në kontakt me autoritetet turke, por deri tani nuk ka njoftime nëse në mesin e viktimave ka shtetas të Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se ka vënë në dispozicion një numër telefoni të Konsullit të Përgjithshëm në Stamboll, për të adresuar çfarëdo pyetjeje dhe nevoje.

"Tre sulmues vetëvrasës kanë kryer sulmin", tha guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin.

Policia turke ka shtënë me armë zjarri për të ndaluar sulmuesit në një hyrje të aeroportit, njofton Reuters. Bëhet e ditur se sulmuesit mund të kenë aktivizuar mjetet shpërthyese në hyrje të terminalit ndërkombëtar.

Reuters citon dëshmitarë të kenë thënë se persona të armatosur kanë shtënë edhe nga vendparkimi i aeroportit.

Pamjet televizve tregojnë auto-ambulanca dhe taksi duke bartur të plagosur nga aeroporti.

Kreu i organizatës humanitare Gjysmëhëna e Kuqe, Kerem Kinik, u bëri thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke komentuar ngjarjen në Stamboll, tha se "sfida që na përcjell tërë kohën është lufta kundër terrorizmit".

Charles Michel, kryeministër i Belgjikës - kryeqyteti i së cilës është sulmuar në mars - ka shkruar në Twitter:

"Mendjet tona janë me viktimat e sulmeve në aeroportin e Stambollit. E dënojmë fuqishëm këtë akt barbar të dhunës".

Ataturku është aeroporti më i madh dhe më i ngarkuar në Turqi. Më shumë se 61 milionë pasagjerë e kanë përdorur atë në vitin 2015.

Sipas korrespondentëve në terren, aeroporti, prej kohësh, është parë si një objektiv i cenueshëm. Atje ka skanerë X-ray, por kontrollet e sigurisë për makina janë të kufizuara.

Në muajin dhjetor, një shpërthim në pistën e aeroportit tjetër të Stambollit, Sabiha Gokcen, ka vrarë një punonjës pastrimi.

Dhuna në Turqi është rritur prejse armëpushimi midis shtetit dhe militantëve kurdë ka kolapsuar në korrik të vitit 2015.

Për disa sulme me bomba atje e kanë marrë përgjegjësinë edhe militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Turqia është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton Shtetin Islamik në Siri dhe Irak.

Një paralajmërim i Departamentit amerikan të Shtetit për Turqinë, i publikuar fillimisht në muajin mars dhe i përditësuar të hënën, u bën thirrje shtetasve amerikanë “të ushtrojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar kur vizitojnë zona me qasje publike, sidomos ato që frekuentohen shumë nga turistët”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG