Ndërlidhjet

Serbët festuan ‘Vidovdanin’


Serbët shënuan Vidovdanin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Disa qindra qytetarë serbë u mblodhën të martën në Gazimestan, në veri të Prishtinës, për të shënuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 627 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Në Gazimestan, të martën pas mesdite, u zhvillua një ceremoni pranë monumentit të Betejës së Kosovës, të ndërtuar nga mesi i shekullit të kaluar, nën administrimin jugosllav, me një prani më të vogël të qytetarëve të komunitetit serb, në krahasim me vitet e tjera.

Pas ritualeve fetare të mbajtura pranë monumentit, qytetarëve serb që ishin mbledhur në Gazimestan, u është drejtuar Milutin Timotijeviq, rektor i Seminarit të Prizrenit në Nish. Ai ka thënë se Gazimestani është pika orientuese për të gjithë serbët.

“Ashtu sikur dielli që është qendra e sistemit tonë, galaktika jonë serbe, sot e ka fokusin këtu, në këtë vend. Të gjithë serbët, jo vetëm nga vendi ynë, por nga të gjitha vendet serbe, nga e gjithë bota, i kanë kthyer sot në këtë fokus, në këtë pikë, nën diellin e Zotit, që të shohin se çfarë bijsh jemi ne dhe çfarë fëmijë të Lllazarit”, ka thënë Timotijeviq.

Dita e Shën Vidit është njëra prej festave më të rëndësishme për serbët e Kosovës, e cila në periudhën e dominimit të presidentit serb Sllobodan Millosheviq u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, që nxiti luftërat në Ballkan. Ndryshe, në vitin 1989, më 28 qershor, Millosheviqi pati tubuar në Gazimestan rreth 1 milion serbë.

Kosova, dy dekada më vonë, pas intervenimit të NATO-s, që nxori jashtë administrimin serb, shpalli pavarësinë e saj.

Por, si e shohin serbët shënimin e Ditës së Shën Vidit sot, në raport me rreth dy dekada e gjysmë më herët?

Një qytetare serbe tha se ndryshimet janë të mëdha nga koha e Millosheviqit. Megjithatë, ajo thekson se në Gazimestan po vizitonte vendin më të shenjtë për serbët.

“Ndryshimet janë shumë të mëdha. Por, kjo edhe është arsyeja pse vijmë këtu. Që ta kujtojmë të kaluarën”, tha qytetarja serbe.

Një serb nga Beogradi, i cili u prezantua si Vaso, tha se në Gazimestan ka ardhur me dhjetëra herë, për të nderuar vendin ku, siç thotë ai, rreth 6 shekuj më parë, princi Llazar, me ushtrinë e tij serbe, e ka mbrojtur Serbinë nga pushtuesi otoman. Vaso ka theksuar se Kosova, në historinë e re, është rrëmbyer nga serbët.

“Historia është histori. Kosova na është rrëmbyer, por jetojmë më shpresën që kurdo qoftë do ta kthejmë. E kanë rrëmbyer amerikanët dhe armiqtë e nënës Serbi dhe ortodoksisë. Por, do të kthehet ashtu siç duhet, me dhunë dhe vetëm me dhunë. Paqësisht nuk mund të kthehet”, tha Vaso.

Tubimi në Gazimestan ka përfunduar pa ndodnjë incident.

Në anën tjetër, liturgjia kryesore për Ditën e Shën Vidit është mbajtur gjatë ditës në Manastirin e Graçanicës. Liturgjinë e ka drejtuar Peshkopi Teodosije i Peshkopatës së Rashkës dhe Prizrenit. Në ceremoninë e sotme në Manastir mori pjesë edhe zëvendës kryeministri I Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq, i cili deklaroi se “serbët duhet ta ruajnë trashëgiminë e tyre në Kosovë”.

Festimeve të sotme, gjatë orëve të pasdites, i është shtuar edhe përurimi i shtatores së Princit Lazar, të lartë mbi 7.5 metra dhe të vendosur në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Vendosja e shtatores ka ngjallur reagime të shumta në mesin e shqiptarëve të Kosovës, që e cilësuan si “nxitje të urrejtjeve etnike” ndërkohë që për serbët “vendosja e saj shënon kthim në rrënjët serbe”.

Kremtimi i Ditës së Shën Vidit këtë vit u bë me përcjelljen e forcave të shumta të policisë, të cilat kanë thënë se do të garantojnë sigurinë për secilin qytetar, lirinë e lëvizjes por njëkohësisht edhe se “nuk do t’i lejojnë provokimet”. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG