Kuvendi i Kosovës është në pritje të procedimit të Projektligjit të ri për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX.
Projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it janë futur në rend dite të seancës së Kuvendit të Kosovës, me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq kundër, ishte Lëvizja Vetëvendosje.
Në rendin e ditës janë 17 pika, andaj mbetet të pritet nëse vazhdimi i mandatit të këtij misioni do të shqyrtohet për aprovim të enjten apo të premten.
Për mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij misioni, është vendosur gjatë një procesi negociues ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Çështja kryesore për të cilën është diskutuar, ishte nëse EULEX-it do t’i lejohen apo jo kompetenca ekzekutive për hapjen e rasteve të reja në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përderisa çështja tjetër, ajo e krimeve të luftës, tashmë mund të kaloj në kompetencë të Gjykatës Speciale.
Me ligjin e ri, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi është paraparë që në rrethanat e jashtëzakonshme, autoriteti kompetent i EULEX-it për arsye specifike të bazuara, mund të propozoj një rast të ri tek prokurori i EULEX-it.
“Por, këtë do ta shqyrtojë një komision i përbërë nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendos për këtë rast a do t’i bartet apo jo”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, ky është rezultat i marrëveshjes së arritur dhe reflekton edhe në letrat e shkëmbyera nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini.
Përveç zgjatjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Facebook Forum