Ndërlidhjet

Rrëfehet babai i sulmuesit në Orlando


Amerikanët në dhimbje pas sulmeve në Orlando
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Amerikanët në dhimbje pas sulmeve në Orlando

Babai i vrasësit të 49 vetave në një klub të homoseksualëve në Orlando tha se nuk e dinte se djali i tij “kishte mëri në zemrën e tij”.

“Djali im, Omar Mateen, ka qenë fëmijë i mirë, ka qenë i arsimuar. Ka pasur një djalë dhe gruan. Nuk e di se çfarë e ka nxitur. Ka punuar me një kompani që i ka dhënë armën”, tha Seddique Mateen.

Në orët e para të së dielës, Omar Mateen vrau 49 persona dhe plagosi 53 të tjerë, përpara se të vritej nga policia. Të shtënat masive janë përshkruar si më vdekjeprurëset në historinë e re amerikane.

“Nuk e di përse ka kryer një akt të tillë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit”, tha babai i sulmuesit, duke shtuar se fati i homoseksualëve “nuk është në duart e njerëzve”, porse vetëm Zoti “mund t’i gjykojë ata”.

Agjentët amerikanë të zbulimit thanë se Mateen ka thirrur shërbimet e emergjencës përpara se të kryente sulmin dhe se ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik (IS).

Ky grup, i cili tha se qëndron prapa të shtënave masive, ka bërë thirrje për sulme në Perëndim gjatë Ramazanit.

Mateen, qytetar amerikan, me origjinë afgane, ka lindur në Nju Jork dhe ka jetuar në Florida. Ai nuk ka qenë në listën e terroristëve nën vëzhgim.

Policia kontrollon shtëpinë e sulmuesit në Orlando
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Megjithatë, FBI e ka intervistuar atë dy herë në vitin 2013 dhe 2014 për shkak të “deklaratave nxitëse” ndaj një kolegu.

Mateen, i cili ka qenë duke punuar për një kompani të sigurimeve, ka blerë ligjërisht disa armë në ditët e fundit.

Ish-gruaja e tij, Sitora Yusufiy, tha se familja e saj e ka shpëtuar atë nga Mateen, kur ka kuptuar se ai e abuzonte fizikisht. Ata kanë jetuar bashkë katër muaj në vitin 2009.

Ajo tha se ai e rrihte rregullisht për gjëra të parëndësishme, si hekurosja apo larja e rrobave.

“Në fillim ka qenë normal, kujdesej për familjen, i pëlqente shakatë… por, pak muaj pas martesës sonë, kam parë jostabilitetin e tij; ai do të tërbohej pa kurrëfarë arsyeje”, tha Sitora Yusufiy.

Në Orlando është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e pëshkroi sulmin si “akt të terrorit dhe të urrjetjes”. Ai tha se Amerika nuk do t’i dorëzohet frikës.

“Ky ka qenë një akt i terrorit dhe i urrejtjes. Si amerikanë, jemi të bashkuar në pikëllim, në zemërim dhe në vendosmërinë për të mbrojtur popullin tonë”, tha Obama.

Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, tha se sulmi është edhe një tjetër përkujtues se armët e luftës nuk kanë vend në duart e qytetarëve.

“Do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtën tuaj për të jetuar të lirë, hapur dhe pa frikë. Urrejtja nuk ka absolutisht asnjë vend në Amerikë”, tha Clinton në një mesazh për komunitetin homoseksual.

Në anën tjetër, kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, tha se Obama duhet të japë dorëheqje pasi ka refuzuar të përdorë fjalët “Islami radikal” kur ka dënuar sulmin.

Kreu i Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, Nihad Awad, u bëri thirrje politikanëve që “të mos mbledhin pikë” ose “të mos e shfrytëzojnë frikën”.

Në një mesazh për të ashtuquajturin Shtet Islamik, Awad tha: “Ju nuk flisni për neve, ju nuk na përfaqësoni, ju jeni të lajthitur”.

Autoritetet në Afganistan po ashtu reaguan ndaj sulmit.

“E dënojmë këtë sulm terrorist dhe e konsiderojmë krim. I shprehim ngushëllime qeverisë dhe popullit të Shteteve të Bashkuuara. Terrorizmi nuk njeh fe, kufij dhe etni. Terroristi është terrorist, pavarësisht vendndodhjes”, tha shefi ekzekutiv i Qeverisë afgane, Abdullah Abdullah.

Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu po ashtu ngushëllime për tragjedinë në Orlando.

Papa Françesku tha se është i tmerruar me urrejtjen e paarsyeshme.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG