Ndërlidhjet

Ymeri: Kthehemi në Kuvend të kundërshtojmë Asociacionin dhe Demarkacionin


Intervistë me Visar Ymerin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Intervistë me Visar Ymerin

"Vendosja e ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, nga ana e Brukselit, si kusht për liberalizimin e vizave është i padrejtë dhe i papranueshëm", ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duhej ta kundërshtonin këtë kusht të Komisionit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, të hënën ju kumtuat vendimin për rikthimin e Lëvizjes Vetëvendosje në seancat dhe punimet e Kuvendit të Kosovës. Cilat ishin arsyet kryesore, që kushtimisht thënë, ndërruat vendimin paraprak për braktisjen e seancave?

Visar Ymeri: Ne vazhdimisht kemi thënë që do të marrim vendim seancë pas seance, varësisht prej rëndësisë që e vlerësojmë ne rreth pjesëmarrjes. Tash kemi vendosur si kryesi dhe si grup parlamentar që t'i kthehemi punimeve të Kuvendit, sepse mendojmë që ky bojkot që i është bërë Kuvendit këta muaj nga ana e opozitës nuk e ka arritur efektin politik që ishte menduar atë kohë.

Ky bojkot i ka krijuar më shumë hapësirë të papenguar këtij regjimi për të nxjerrë vendime dhe për ta vazhduar kapjen e shtetit, sesa që vërtetë ka paraqitur një efekt politik që do ta pengonte atë. Kështu që Lëvizja Vetëvendosje nga kjo javë do të bëhet pjesë e punimeve të Kuvendit dhe do ta bëj opozitën siç e ka bërë edhe më parë.

Natyrisht që do të mbesim në qëndrimet tona edhe më të vendosur karshi dy marrëveshjeve për të cilat e patëm nisur protestën bashkë me dy subjektet tjera opozitare.

Ç’është e vërteta, Vetëvendosje edhe atëherë kur ishte marrë vendimi, së pari nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e pastaj edhe nga Nisma për Kosovën që të braktiset kuvendi, ne kemi thënë vazhdimisht që ky vendim nuk është as i qëlluar e as i dobishëm për Republikën e Kosovës. Por, atë botë, ne patëm marrë këtë vendim, për braktisje, me të vetmin qëllim që ta ruajmë unitetin e opozitës.

Megjithatë, vazhdimisht kemi qenë në mospajtim rreth kësaj çështje. Më kujtohet atëherë që në diskutimet tona si opozitë rreth asaj se a duhet apo jo të braktiset Kuvendi, përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës na thoshin se kjo e ka efektin e vet, sepse opozita po e bojkoton Kuvendin dhe dalja nga ky institucion e fuqizon protestën jashtë.

Por, ajo që ndodhi më pastaj ishte se ramë në një qetësi e cila duket ishte edhe e keq-përdorshme nga regjimi autoritar që e kemi të instaluar në Kosovë, sepse i krijonte një hapësirë të papenguar për punë.

Radio Evropa e Lirë: Kthimi në Kuvend a nënkupton se keni edhe një alternativë tuajën karshi marrëveshjeve që i përmendët?

Visar Ymeri: Jo. Për sa u përket dy marrëveshjeve, mendoj se situata është jashtëzakonisht e qartë. Në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë për themelimin e “Zajednicës” (Asociacionit) së komunave me shumicë serbe, ajo praktikisht është marrëveshje dhe projekt i vdekur. Gurin e fundit në varrin e kësaj “Zajednice” e ka vendosur Gjykata Kushtetuese e cila e shpalli marrëveshjen plotësisht anti-kushtetuese dhe njëkohësisht zbatimin e saj si përmbysje të rendit kushtetues të vendit.

Ndërkohë, sa i përket marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, mendoj se është e qartë që prej ekspertëve deri te deputetët se kjo marrëveshje e dëmton rëndë integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme. Natyrisht që një marrëveshje për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të arrihet. Por, kjo duhet të bëhet duke mos e prekur interesin e asnjërit prej vendeve e posaçërisht duke mos e prekur territorin e asnjërit vend.

Marrëveshja aktuale e cenon territorin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme dhe duhet të ri-negociohet. Ky ri-negocim bëhet duke e shpallur fillimisht marrëveshjen aktuale të anuluar dhe duke e rifilluar procesin e negocimit përmes një metode tjetër të mbrojtur edhe me ligje ndërkombëtare dhe jo këso metode kadastrale që ka përdorur komisioni aktual. Po ashtu, duke përdorur edhe dokumente tjera, harta tjera, të cilat qëllimisht janë lënë anash nga komisioni ynë për të arritur deri te një marrëveshje në të cilën jemi sot.

Radio Evropa e Lirë: Nga partitë në pushtet dhe kryeministri Isa Mustafa janë bërë disa ftesa, nëse mund t’i quajmë publike, që edhe opozita të jetë pjesë e komisioneve dhe punës para se në Kuvend të dërgohet për ratifikim marrëveshja aktuale për Demarkacionin. Si do të veprojë Vetëvendosje në këtë rast?

Visar Ymeri: Nuk ka kurrfarë kuptimi të formohen komisione të reja nëse nuk anulohet marrëveshja aktuale. Pra, çfarëdo komisioni që formohet, siç ishte edhe ai që e formoi ish-presidentja Atifete Jahjaga, me ata që i quanin ekspertë ndërkombëtarë, dhe e vlerëson këtë marrëveshje sipas dokumentacionit që është përdorur, do të dalë rezultati thuajse njëjtë.

Procesi që ka dërguar deri te nënshkrimi i marrëveshjes për Demarkacion më 26 gusht të vitit të kaluar ka qenë i korruptuar gjatë rrugëtimit. Veçanërisht në dokumentacionin dhe metodën e përdorur, kështu që ky proces duhet të fillojë nga e para.

Nuk është çështje që nuk mund të bëhet e as që nuk është e arritshme, por, krejt çka na duhet është ta anulojmë atë dhe pastaj ta ri-negociojmë, duke i përdorur hartat të cilat tregojnë qartë se ku duhet të jetë vija kufitare e Kosovës dhe me këtë rast Kosova nuk do ta humbte asnjë centimetër të territorit e lëre më 8 mijë e 200 hektarë, siç i humb me këtë marrëveshje aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Nisur nga qëndrimet paraprake të opozitës, përshirë edhe Vetëvendosjen, ishte kontestuar në vazhdimësi legjitimiteti i këtij Kuvendi që ta ratifikoj këtë marrëveshje. Sa tash konsideroni që ka legjitimitet kjo legjislaturë për ratifikimin e kësaj apo një marrëveshje tjetër?

Visar Ymeri: Në fakt, kjo qeveri edhe ky Kuvend e kanë humbur legjitimitetin që nga momenti kur Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se qeveria në emër të Republikës së Kosovës është zotuar se do ta rrënojë rendin e vet kushtetues për t’i krijuar hapësirë një krijese institucionale e territoriale të kërkuar nga Serbia (Asociacioni i komunave me shumicë serbe).

Kurse te marrëveshja për Demarkacionin, për çka ishte konkretisht pyetja, ajo është e papranueshme dhe një marrëveshje të tillë nuk ka legjitimitet ta ratifikoj jo vetëm ky Kuvend, por asnjë përbërje tjetër.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, në cilëndo fazë të zhvillimit të Republikës e ka një detyrë primare dhe kjo është ta mbroj interesin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Cilido deputet që e voton një marrëveshje të tillë e cila e cenon integritetin territorial do të shkel mbi betimin e dhënë dhe të gjitha ligjet që ia mundësojnë atij punën dhe detyrën e deputetit.

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton ky kundërshtim edhe çmimin e humbjes së liberalizimit të vizave për Kosovën si kusht i vendosur nga Brukseli?

Visar Ymeri: Vendosja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave është i padrejtë dhe i papranueshëm. Mendoj që në këtë drejtim, institucionet e Kosovës do të duhej të intervenonin dhe ta kundërshtonin këtë kusht të Komisionit Evropian, sepse nuk ka kurrfarë lidhshmërie logjike e as racionale mes ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe kritereve për liberalizim të vizave.

Unë kam pasur diskutime me deputetë të Parlamentit Evropian kur ata ishin në Prishtinë në komisionin për zbatimin e MSA-së si dhe me komisionerin Johannes Hahn, në Prishtinë, dhe në secilin prej takimeve e kam potencuar se kjo është e padrejtë dhe e papranueshme.

Mendoj që po të kishte një vendosmëri më të madhe nga institucionet e Kosovës ky kriter nuk do të na vihej fare. Nëse i krahasojmë vendet e rajonit nisur nga Mali e Zi deri te Serbia, të cilave u janë liberalizuar vizat shumë më herët, asnjëra prej tyre nuk e kishin këtë kusht.

Por, as Kosova nuk e ka kusht që ta ketë të ratifikuar tërë vijën kufitare, por vetëm me Malin e Zi. Ne as me Serbinë nuk e kemi të demarkuar kufirin, por kjo nuk është vënë kusht. Pra, këtu kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër, atë të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kemi dëgjuar kryeministrin e Kosovës të ketë deklaruar që pjesë e hartimit të statutit të këtij trupi të jetë edhe opozita. Keni marrë ju një ftesë zyrtare apo janë vetëm deklarime për media?

Visar Ymeri: Nuk mund të them që kemi marrë një kërkesë të tillë zyrtarisht. Por, prapë mendoj që kjo është huqje e thelbit të problemit, siç bën vazhdimisht Qeveria e Kosovës, duke e vendosur një problem konkret në një rrafsh në të cilin nuk gjen zgjidhje dhe as nuk ka qëllim të gjej zgjidhje.

“Zajednica” (Asociacioni) është një kreaturë institucionale e cila nuk duhet të ekzistoj në Republikën e Kosovës dhe këtë e kemi thënë që nga fillimi. Çfarëdo ekzistence e një institucioni të tillë në Kosovë do ta ndante atë në vija etnike dhe do ta defunksionalizonte atë duke e krijuar një Bosnje të dytë.

Natyrisht që ne si Vetëvendosje, por as qytetarët nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë një Bosnje të dytë në Kosovë. Republika e Kosovës duhet të jetë Republikë e qytetarëve të barabartë dhe çfarëdo ndarje në vija etnike nuk i kontribuon as bashkëjetesës dhe as fuqizimit të Republikës.

Në këtë drejtim mendoj se nuk është në interes të Republikës që Kosova të dobësohet. I vetmi vend që ka interes për këtë është Serbia dhe vet Aleksandër Vuqiqi duke synuar që me dobësimin e Republikës së Kosovës ta bëj atë më të kontrollueshme. Fatkeqësia e këtij vendi është që institucionet e Kosovës, në veçanti kryeministri aktual dhe presidenti i Kosovës, më shumë janë vendosur në funksion të këtyre interesave të Serbisë, sesa në mbrojtje të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në politikat që ka udhëhequr opozita, kemi parë për disa muaj disa veprime të përbashklët qoftë në Kuvend qoftë në rrugë. Por, tash në Kuvend jeni kthyer vetëm ju si Vetëvendosje. Do të ktheni edhe gazin lotsjellës në seanca?

Visar Ymeri: Nëse pushteti në çfarëdo mënyre tenton t’i ringjallë këto dy marrëveshje, atë për “Zajednicën” dhe atë për demarkacionin, dhe tenton ta zbatoj, përkatësisht ta ratifikoj këtë tjetrën, natyrisht që kjo do ta thellojë krizën institucionale dhe do t’i defunksionalizoj institucionet e Republikës.

Pra, nëse Kuvendi detyrohet të merret me këto dy çështje, atëherë natyrisht që protesta e jonë do të vazhdoj edhe më fuqishëm sesa që ka qenë në vjeshtën e vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Ndërkohë që për çështjet tjera, ligjet, vendimet ne do të jemi aty si opozitë siç kemi qenë më parë ku do të marrim pjesë në diskutime, votime.

Por, kur vjen çështja te dy marrëveshjet e përmendura, aty nuk ka kompromis.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, fare në fund, sa ndiheni më të dobësuar tani si opozitë, kur në Kuvend do të jeni vetëm, ngase dy partitë tjera opozitare nuk do të jenë aty. Sa do të jetë ky një lloj hendikepi politik për veprimet e juaja?

Visar Ymeri: Nuk mund të them që dy partitë tjera nuk do të jenë aty. Së paku duke u bazuar në diskutimet e mëhershme se a duhet të dalim nga Kuvendi apo jo, edhe atëherë diskutimi ka qenë që nëse këto dy çështje (marrëveshje) kontrabandohen në kuvend ne do të kthehemi dhe do të vazhdojmë me protesta.

Natyrisht që ne si Vetëvendosje qëndrojmë në këtë pozicion politik. Nuk jam i sigurt për dy partitë tjera, por nuk i kam dëgjuar të paktën që kanë thënë se do të veprojnë ndryshe. Por, Lëvizja Vetëvendosje do t’i kundërshtojë këto dy marrëveshje qoftë me dy subjektet tjera opozitare, qoftë e vetme.

Natyrisht që ka qenë e dobishme për vendin që jemi bashkuar në këtë pikë sepse vërtetë kemi arritur që me protestën tonë të shmangim zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve që do ta rëndonin tejet shumë jetën politike, institucionale e shoqërore në Republikën e Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG