Ndërlidhjet

Maqedoni: Vendimi i Ivanovit vlerësohet si selektiv


Shkup...
Shkup...

Vendimi i presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov, për të tërhequr vendimin për faljen e 22 politikanëve, vlerësohet selektiv dhe i pamjaftueshëm për rikthimin e situatës që para marrjes së vendimit për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, më 12 prill.

Vendimi i kreut të shtetit që pasoi disa ndryshime në Ligjin për falje në Kuvend, ka shkaktuar reagime nga më të ndryshme, që nga kundërshtim i aktit e deri te vlerësimi se ai është më i miri për krizën aktuale.

Partia VMRO-DPMNE, së cilës i takon Ivanovi, ka përshëndetur përmes një komunikate vendimin, si mundësi të mirë për zbardhjen e të gjitha akuzave ndaj zyrtarëve të saj nga Prokuroria Speciale.

"VMRO-DPMNE ishte partia e parë, e cila doli publikisht me qëndrimin se vendimi për falje nuk është në pajtim me politikat tona. VMRO-DPMNE e para propozoi që katër liderët e partive më të mëdha politike t'i kërkojnë presidentit Ivanov të shqyrtojë vendimin. Me vendimin e ri, ofrohet mundësia që të dëshmohet i tërë konstruksioni i Zoran Zaevit, kundër anëtarëve partiakë dhe aktivistëve të VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e kësaj partie që drejtohet nga Nikolla Gruevski, ish-kryeministër.

Por, nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës vendimin e presidentit për tërheqjen e faljeve, e kanë quajtur kundër-kushtetues ashtu sikur edhe vendimin e mëparshëm për faljen e zyrtarëve.

“Nga VMRO DPMNE-ja gënjenin kur deklaronin se nuk pajtoheshin me vendimin e Ivanovit. Me vendimin e ri, Ivanov është vënë në shërbim të politikanëve nga VMRO DPMNE-ja të cilët nuk duan të tërhiqet falja. Ivanov ua hapi rrugën që të kërkojnë tërheqjen e faljeve. Vetëm tërheqja e tërësishme e abolimit është zgjidhje".

"Falja duhet të tërhiqet tërësisht nëpërmjet një ligji të barabartë për të gjithë. Kjo është e mundur vetëm nëpërmjet interpretimit autentik të Ligjit për falje në Kuvend, me mbështetjen e të gjitha partive politike”, ka deklaruar Goran Sugarevski, kryetar i grupit parlamentar të LSDM-së.

Në vendimin për tërheqjen e faljes, gjenden emrat e zyrtarëve të lartë të VMRO-së, si ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov, si dhe funksionarë të tjerë, por aty figuron edhe emri i liderit të opozitës, Zoran Zaev, si dhe ai i ish-presidentit Branko Cërvenkovski.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila ka kërkuar në vazhdimësi përgjegjësi nga presidenti Ivanov mbeten në qëndrimin e konstatimit të përgjegjësisë së tij nga ana e Kuvendit.

“Ne, si parti politike, konsiderojmë se zoti Ivanov është nxitësi i drejtpërdrejtë i krizës, e cila ka shpërthyer në mënyrë eruptive që nga 12 prilli i këtij viti. Për këtë arsye besojmë se Kuvendi, si organ legjitim i sovranit, përfaqësues legjitim i qytetarëve të Maqedonisë, ka për obligim që të debatojë dhe të vendosë mbi përgjegjësinë e zotit Ivanov”, ka deklaruar deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja mbeten në qëndrimin se falja duhet të jetë e plotë dhe jo selektive.

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, ka thënë se vendimi i presidentit Ivanov nuk është i mjaftueshëm për normalizimin e gjendjes.

“Vendimi për tërheqjen selektive të faljes, nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet zgjidhje e plotë”, ka porositur Hanh nëpërmjet një postimi në Twitter.

Edhe Ambasada Amerikane ka reaguar duke e vlerësuar vendimin e presidentit si parcial dhe selektiv. Kjo sipas Ambasadës Amerikane do të kontribuojë për rritjen e ndjenjës së mosndëshkushmërisë në vend.

“Maqedonia duhet tërësisht ta zgjidhë këtë çështje”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Vendimi i presidentit Ivanov vjen pas reagimeve të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve dhe kufizimit të lëvizjes së zyrtarëve shtetërorë, kërcënime këto që ende mbeten në fuqi nëse Ivanov nuk e tërheqë plotësisht vendimin.

Ndryshe, Ivanov tha se vendimin për tërheqjen e faljes për 22 personalitete politike e kishte marrë “për t`i dhënë fund krizës politike në vend dhe njëherësh për të dëshmuar para botës se asnjë zyrtar i lartë nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të japin llogari përpara drejtësisë”.

Ivanov vendimin e ka ndërlidhur edhe me krizën e refugjatëve dhe fluksin e ri që, sipas tij, pritet në periudhën në vazhdim. Por, një arsyetim i tillë ka nxitur reagime të ndryshme duke e vlerësuar si të paqëndrueshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG