Kandidati i pavarur, Alexander Van der Bellen, ka fituar zgjedhjet presidenciale në Austri. Ai ka qenë në garë të ngushtë me kandidatin e Partisë së Lirisë, Norbert Hofer.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve është mbajtur të dielën dhe fletëvotimet postare kanë qenë vendimtare për rezultatin.
Hofer, nga ekstremi i djathtë, ka bërë fushatë kundër migrimit dhe multikulutralizmit.
Ai ka thënë se është i pikëlluar për humbjen.
Presidenca në Austri është kryesisht post ceremonial, por zgjedhjet kanë shpërfaqur ndarje të mëdha midis shoqërisë austriake.
Mbështetja për Partinë e Lirisë është rritur viteve të fundit, për shkak të zemërimit me partitë e qendrës së majtë dhe të djathtë. Frika për krizën me migrantë ka forcuar tutje ekstremin e djathtë.
Ka pasur frikë se fitorja eventuale e Hoferit do t’iu jepte vrull partive populiste dhe të ekstremit të djathtë në vendet e tjera të Evropës.
Presidentët e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Martin Schulz, kanë shprehur shqetësim për fitoren eventuale të tij.
Themelues i partisë së Hoferit në vitin 1956 ka qenë një ish-ministër nazist.
Në vitin 2010, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, ka bërë fushatë me sloganin: “Gjaku vjenez – të huajt nuk i bëjnë mirë askujt”.
Lideri i kësaj partie, Heinz-Christian Strache, ka thënë se “me zemër është me Pegidën”, duke iu referuar një lëvizjeje anti-islamiste në Gjermani.
Hofer ka thënë se nuk mendon se Islami është pjesë e Austrisë. Ai po ashtu kundërshton martesat midis personave me gjini të njëjtë.
Në nëntë prej dhjetë qyteteve kryesore të Austrisë, Van der Bellen ka dalë i pari, ndërsa Hofer ka dominuar zonat rurale.
Mbështetja për Hoferin ka qenë jashtëzakonisht e fortë në mesin e punëtorëve të krahut – gati 90 përqind. Vota për Van der Bellen ka qenë më e fuqishme në mesin e njerëzve me diplomë universitare ose kualifikim tjetër të lartë.
Van der Bellen ka bërë fushatë mbi një platformë pro Bashkimit Evropian.
Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, dy partitë kryesore të qendrës janë eliminuar në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, katër javë më parë.
Përgatiti: Valona Tela