Ndërlidhjet

Krizë parlamentare në Kosovë


Një prej seancave me gaz lotsjellës të Kuvendit të Kosovës, 26 shkurt 2016
Një prej seancave me gaz lotsjellës të Kuvendit të Kosovës, 26 shkurt 2016

Bojkotimi i punimeve të Kuvendittë Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e konsideron të ulët dinamikën e punës së Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të trajtuar ligjet dhe çështjet tjera.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se intensiteti i mbajtjes së seancave plenare është zvogëluar dukshëm dhe është në shpërputhje me nevojat dhe përfaqësimin e qytetarëve.

Ai shton se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar me këtë vit, ka 22 seanca parlamentare më pak.

E gjithë kjo, sipas Kryeziut, ka marrë profilin e një krizë parlamentare.

“Gjithsesi mungesa e deputetëve të partive në pushtet, që janë në koalicion e që kanë dy të tretat në parlament, si dhe mundësia e tyre për t’i pasur të gjithë deputetët e tyre në parlament, shpërfaq fillimin e një krize parlamentare, e cila pati filluar me kundërshtimet e opozitës dhe tani ka kundërshtime apo jo mbarëvajtje të vetë subjekteve që udhëheqin me Qeverinë apo pushtetin në Kosovë”, thekson Kryeziu.

Më këtë dinamikë të ulët të punës së Kuvendit të Kosovës, thekson Kryeziu, Kosova nuk do të arrijë t’i përmbushë obligimet që i ka, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

“Ne kemi shumë sfida dhe nevoja që janë si rezultat i ecjes përpara, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në aspektin e jashtëm të politikave ndërkombëtare dhe të gjitha këto janë ngecje dhe në disfavor për pritjet e qytetarëve dhe hapat që e presin shtetin e Kosovës”, thotë Kryeziu.

Muaji gusht është koha kur deputetët e Kuvendit të Kosovës i japin fund sesionit pranveror, për të shkuar në pushime prej një muaji.

Deputetët e partive në pushtet dhe atyre opozitare thonë se në Kuvendin e Kosovës janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e agjendës legjislative.

Selvije Halimi, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka penguar në njëfarë mënyre përshpejtimin e procedurave legjislative.

“Mendoj se jemi duke shkuar me plan, por mungesa e opozitës në Kuvend domosdoshmërisht ndikon në përshpejtimin e procedurave të legjislacionit, sepse ne si pozitë tashmë jemi të ngarkuar dyfish më shumë dhe duhet të punojmë edhe për ata sa i përket bërjes së ligjeve. Po ashtu, vizitat që i kemi jashtë vendit po duhet të koordinohen me qëllim që të kemi kuorum në aprovimin e ligjeve”, thekson Halimi.

Ndërkohë, deputetë të partive politike opozitare thonë se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as për së afërmi ta përmbushë agjendën legjislative.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës tani e sa kohë është në një situatë të jashtëzakonshme.

Haxhiu shton se agjenda legjislative nuk është duke u përmbushur, jo vetëm nga bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare, por edhe nga mungesa e deputetëve të partive në pushtet.

“Edhe përkundër faktit që opozita pati bojkotuar në fillim të këtij vitit punimet e seancave plenare për shkak të marrëveshjeve të dëmshme që Qeveria ka bërë me Serbinë dhe atë me Malin e Zi, koalicioni qeverisës në Kuvend, që përbëhet prej më shumë se 80 deputetëve, ka pasurngecje të shumta sa i përket përmbushjes së kuorumeve në Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.

Ndryshe, viti 2015 për Kuvendin e Kosovës ka qenë vit i karakterizuar me polarizime të skajshme ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, që rezultuan me krizën më të madhe politike në vend.

Kundërshtimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë pikat kulmore të këtyre përplasjeve.

Sipas të dhënave nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2015 ka miratuar 47 projektligje nga gjithsej 138 të parapara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG