Ndërlidhjet

Migrantët, në kërkim të rrugëve ilegale drejt Evropës


Tabanoc
Tabanoc

Sipas të dhënave të UNHCR-së, në Maqedoni ndodhen rreth 500 migantë nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht nga Siria Afganistani dhe Iraku të vendosur në kampin “Vino-jug” të Gjevgjelisë atë në Tabanoc dhe Qendrën për azil në Vizbeg të Shkupit.

Arbnor Tefiku, ndihmësudhëheqës i Qendrës transite të migrantëve në Tabanoc, thotë se në kamp ndodhen 250 migrantë, të cilët kryesisht janë nga Siria dhe presin që të shkojnë drejt vendeve të Evropës.

“Momentalisht, në kampin në Tabanoc ndodhen rreth 250 migrantë. Tanimë një kohë numri i migrantëve është në rënie me mbylljen e rrugës ballkanike. Ne mundohemi maksimalisht që t’u dalim në ndihmë migrantëve, të cilët ndodhen në kampin e Tabanovcit. Kujdesemi që për çdo kohë të sigurojmë ushqim të mjaftueshëm, veshmbathje dhe kontroll mjekësor”, thotë për Radion Evropa e Lirë Tefiku.

Në kampin e Tabanocit përgjatë kufirit Maqedoni-Serbi e takojmë Shami Rasmi, një vajzë adoleshente, e cila bashkë me tre vëllezërit dhe të ëmën është duke pritur që të arrijë në Austri për t’u bashkuar me babanë e saj dhe vëllanë më të madh.

“Unë jam nga Afganistani. Këtu jemi duke pritur tashmë tre muaj, bën shumë vapë, është shumë i vështirë qëndrimi këtu. Unë mundohem bashkë me nënën time, që vëllezërit e mi mos t’i harrojnë shkronjat, sepse ata sapo i mësuan mbetën aq kohë larg shkollës. Po, e dini, është vështirë ta mbaj përqendrimin e tyre. Nuk duam të kthehemi, në Austri na pret babai dhe vëllai im më i madh”, thotë Shami.

Edhe Ahmadi, i cili është nga Siria, thotë se tashmë tre muaj të plotë është i bllokuar në kampin e Tabanocit. Ai me tre fëmijët e tij të vegjël, shprehet senuk mund të kthehet prapa, sado që të jetë e vështirë pritja këtu për të vazhduar rrugën drejt Gjermanisë, për ku është nisur.

“Për çdo mbrëmje bie në gjumë me shpresë se me lindjen e diellit, do të na hapet rruga, unë nuk humbas shpresën sepse një gjë e kam të qartë, kudo sado e vështirë të jetë, është më mirë sesa në Siri, në vendin tim të lindjes. Marrim ilaçe sa herë na sëmuren fëmijët, ushqimi është disi, problem kemi kur bie shi.. uji gjen rrugë për të depërtuar në kamp dhe lagen fëmijët, por jemi të vendosur të durojmë”, tregon Ahmad Suami.

Vetëm para një muaji, në qendrën transitore në Tabanoc ndodheshin mbi 1500 migrantë. Një pjesë e tyre vullnetarisht janë riatdhesuar, një grup i vogël është kthyer në Greqi, por siç shpjegon Arbnor Tefiku, meqë kampi në Tabanoc është me karakter të hapur, nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e tyre, përmes rrugëve ilegale, janë nisur drejt Evropës.

“Kampi ka karakter të hapur, që do të thotë refugjatët këtu kanë mundësi të lëvizin lirshëm edhe jashtë kampit. Kohë pas kohe, nëpërmjet kontakteve të ndryshme, arrijnë të gjejnë ndonjë rrugë për t’u larguar dhe nisen drejt vendeve ku kanë si qëllim për të arritur. Nuk kemi informacione zyrtare për ndihmën që u jepet migrantëve për të vazhduar rrugën drejt Evropës, por përderisa kampi zbrazet, është e qartë se ata kanë gjetur ndonjë rrugë”, thotë Tefiku.

Edhe përfaqësuesit e UNHCR-së në Maqedoni thonë se mbyllja e rrugës ballkanike për migrantët, të cilët synojnë të arrijnë në vendet e Evropës, e ka nxitur migrimin ilegal.

“Duhet pasur parasysh se të gjithë këta migrantë, të cilët kanë ngecur në Maqedoni, nuk e kanë pasur Maqedoninë si destinacion të tyrin të fundit, por të vazhdojnë rrugën drejt Evropës përmes Maqedonisë. Dhe, ata tërë kohën janë në përpjekje për të gjetur një mundësi që ta vazhdojnë rrugën e tyre drejt Evropës”, thekson Lubinka Brashnarska, përfaqësuese e UNHCR-së në Maqedoni.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se për çdo ditë regjistrohen mbi 300 përpjekje të migrantëve për të hyrë përmes rrugëve ilegale nga kampi i migrantëve në Idomeni të Greqisë për në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG