Ndërlidhjet

“Njeriu i milionave” në krye të Qeverisë turke


Binali Yildirim
Binali Yildirim

Më 19 maj, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ka pushtetin në Turqi, ka zgjedhur ministrin e Transportit dhe të Komunikimit, Binali Yildirim, kandidat për udhëheqjen e partisë.

Tradicionalisht, ai që kryeson partinë më të madhe në Parlament, zgjidhet po ashtu kryeminstër.

Në këtë pozitë, Yildirim do të zëvendësojë kryeminsitrin në largim, Ahmet Davutoglu, i cili ka dhënë dorëheqje këtë muaj edhe si kryetar partie, edhe si kryeministër.

Yildirim ka qenë “mik i afërt” i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë 22 vjetëve të kaluar. Ai po ashtu është njëri nga themeluesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, në vitin 2001.

Yildirim është emëruar ministër i Transportit pasi AKP-ja ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2002. Ai ka udhëhequr disa projekte të transportit, përfshirë edhe një urë të re mbi Bosfor.

Por, Yildirim dhe kunati i tij janë përmendur po ashtu në një skandal famëkeq të korrupsionit, në dhjetor të vitit 2013. Prokurorët, atëbotë, kanë hapur raste kundër disa zyrtarëve të AKP-së dhe të afërmve të tyre.

Pasi i ka mbijetuar skandalit, qeveria ka urdhëruar arrestimin e prokurorëve “problematikë”, ndërsa procedurat ligjore, që ata kanë iniciuar, janë ndërprerë. Erdogan dhe AKP-ja e kanë cilësuar skandalin si “komplot” nga një “shtet paralel”, i udhëhequr nga kleriku në mërgim, Fathullah Gulen, i cili tani jeton në SHBA.

Duke e quajtur Yildirimin “njeri të milionave (v.j. dollarëve)”, kreu i opozitës social-demokrate, Kemal Kilicdaroglu, ka thënë se Yildirim, në vitin 2014, ka ndarë tenderë të qeverisë për të rritur financat për AKP-në.

Sipas Kilicdaroglut, Yildirm ka qenë i përfshirë në shitjen e një stacioni të njohur televiziv dhe të një gazete, që kanë sjellë 630 milionë dollarë. Prokurorët më vonë kanë thënë se këto para janë mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe janë përdorur për projekte të partisë në pushtet dhe të liderëve të saj.

Yildirim do të jetë kryeministri i dytë në sistemin “de facto” presidencial, i cili është shpallur në Turqi në vitin 2012.

Në vitet e fundit, Erdogan ka mbështetur një sistem ekzekutiv presidencial, që do t’i siguronte presidentit pushtet më të madh.

Një gjë e tillë do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash në referendum kombëtar.

Edhe pse AKP ka fituar vazhdimisht 50 përqind të votave ose më shumë në zgjedhjet nacionale, ky nivel i mbështetjes, prapëseprapë, nuk është i mjaftueshëm për të shtyrë përpara ndryshimet kushtetuese, që lejojnë ndryshimin e sistemit të qeverisjes.

I përballur me rritje të kundërshtimit publik ndaj planit, Erdogan ka prezantuar një sistem de facto presidencial, në të cilin ai vendos për të gjitha çështjet e rëndësishme të qeverisë dhe kryeministri thjesht zbaton vendimet e tij.

Kjo do të thotë se Yildirim, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Davutoglu, nuk do të ketë ndonjë rol të madh në Qeverinë turke. Erdogan do të vazhdojë të jetë njeriu kryesor që do të marrë vendime të rëndësishme dhe që do të jetë përgjegjës për udhëheqjen e vendit.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim mban të dielën një kongres të jashtëzakonshëm, ku Yildirim pritet të konfirmohet si lider i saj.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG