Ndërlidhjet

Aeroplani i EgyptAir mund të jetë rrëzuar nga sulmi terrorist


Kajro, 19 maj 2016.
Kajro, 19 maj 2016.

Ekipet e kërkimit në Detin Mesdhe kanë lokalizuar pjesët e aeroplanit të kompanisë EgyptAir, i cili është rrëzuar të enjten, teksa ka qenë duke fluturuar nga Parisi për në Kajro.

Autoritetet egjiptiane kanë thënë se terrorizmi mund të jetë shkak i katastrofës.

Aeroplani me 66 veta në bord është zhdukur nga radarët pak minuta pasi ka hyrë në hapësirën ajrore të Egjiptit.

Ministri egjiptian i Aviacionit, Sherif Fathy, ka thënë se Franca do të mbahet përgjegjëse për gabime të sigurisë nëse vërtetohet se avioni është rrëzuar nga sulmi terriorist.

Nënpresidenti i linjës ajrore kombëtare të Egjiptit ka konfirmuar se janë gjetur copat e aeroplanit.

Prokuroria shtetërore e Francës ka njoftuar se ka filluar hetimet me rastin e zhdukjes së aeroplanit të Kompanisë EgyptAir.

Prokuroria ka thënë se “asnjë mundësi nuk është e përjashtuar”.

Ndërkohë, forcat egjiptiane të sigurisë, duke hetuar mundësinë e rrëzimit të aeroplanit si pasojë e terrorizmit, po bëjnë verifikimin e sigurisë të udhëtarëve për të vërtetuar nëse ndonjëri prej tyre është i lidhur me ekstremistët.

Në internet janë publikuar video-regjistrime, në të cilat, siç pretendohet, shihet momenti kur është djegur aeroplani i EgyptAir. Nuk ka konfirmime për këtë.

Më herët, presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se aeroplani është rrëzuar dhe se nuk përjashtohet asnjë hipotezë.

“Informacionet që kemi mbledhur – kryeministri (francez Manuel Valls) dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë franceze dhe natyrisht autoritetet egjiptiane – konfirmojnë se aeroplani është rrëzuar dhe është zhdukur”, ka thënë Hollande.

“Është detyra jonë të zbulojmë dhe të kuptojmë çdo gjë në lidhje me shkaqet e asaj që ka ndodhur. Asnjë hipotezë nuk mund të përjashtohet”, ka shtuar ai.

Në mesin e pasagjerëve, 30 kanë qenë egjiptianë, 15 francezë, dy irakianë dhe nga një nga Britania, Kanadaja, Belgjika, Kuvajti, Arabia Saudite, Algjeria, Sudani, Çadi dhe Portugalia, ka bërë të ditur EgyptAir.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë po ashtu se “nuk mund të përjashtohet asnjë teori për shkakun e zhdukjes”.

EgyptAir ka thënë se aeroplani ka qenë duke fluturuar në 37,000 këmbë (11,300 metra) lartësi kur është zhdukur nga radari, menjëherë pasi ka hyrë në hapësirën ajrore e Egjiptit.

Një aeroplan i së njëjtës kompani është rrëmbyer në muajin mars, teksa ka qenë duke fluturar nga Aleksandria për në Kajro. Aeroplani është detyruar të devijojë udhën dhe të aterojë në Qipro, ku rrëmbyesi ka kërkuar të shohë ish-gruan e tij.

Ai është dorëzuar pas gjashtë orësh dhe pengmarrja ka përfunduar në mënyrë paqësore.

Një tjetët aeroplan, Airbus A321, i operuar nga kompania ruse Metrojet, është rrëzuar tetorin e kaluar në Gadishullin Sinai të Egjiptit, duke shkaktuar vdekjen e të 224 njerëzve në bord.

Rusia dhe qeveritë perëndimore patën thënë se ky aeroplan është rrëzuar nga një bombë e vendosur brenda. Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për vendosjen e bombës. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG