Ndërlidhjet

Mogherini: Të zbatohen marrëveshjet në dialogun Kosovë - Serbi


Mogherini dhe Avramopoulos takohen me Mustafën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Mogherini dhe Avramopoulos takohen me Mustafën

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha të enjten në Prishtinë se zbatimi i marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për vazhdimin e bisedimeve mes dy vendeve.

Ajo tha se po diskuton me palët mënyrat e vazhdimit të dialogut që siç theksoi ka krijuar klimën e vetëdijesimit jo vetëm në rajon, por edhe në BE për lëvizjet pozitive që kanë ndodhur që prej nisjes së dialogut.

Mogherini tha se autoritetet në Kosovë kanë treguar përkushtim të madh për vazhdimin e dialogut, nga i cili përfitojnë më së shumti qytetarët, por vlerësoi se tani duhet një përkushtim edhe më i madh për rrugën e integrimit në BE.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, tha se Kosova është pjesë e Evropës dhe se BE-ja së bashku me autoritetet në Kosovë po punojnë për integrimin evropian të vendit.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kryediplomatja e Bashkimit Evropian, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për punën e bërë për sa u takon çështjeve dhe kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.

"Propozimi për lëvizje të lirë në rajonin e Schengenit është një dëshmi e punës suaj të madhe. Rruga në të cilën po punojmë se bashku tregon se së bashku po punojmë në pajtimin dhe paqen e vërtetë në Ballkan. Bashkimi ynë ka të bëjë për lirinë e lëvizjes përtej kufijve. Jam shumë e gëzuar dhe krenare se mund tu themi njerzve tanë se mund t[i kalojmë pengesat dhe ta lirojmë qarkullkimin. Bashkimi ynë po ashtu ka të bëjë edhe me mirëqenien e njerëzve" tha ajo.

Zonja Mogherini ka siguruar institucionet e Kosovës dhe deputetët se bashkëpunimi i një pune të përbashkët do të vazhdojë edhe me tej. Ajo tha se do të punohet së bashku për një Kosovë dhe Evropë edhe më të mirë.

"Ky është një përkushtim personale dhe politik dhe besoj se e njëjta është edhe në anën tuaj dhe llogaris në ketë, ngase për te ecur përpara duhet të jemi të bashkuar", tha Mogherini

Mogherini deri sa ka thenë se Kosova në këto 16 vjet ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillim e saj, ka bërë thirrje për dialog mes partive duke shtuar se konfliktet mes partive politike janë pjesë e demokracisë, por shtoi se kur janë në pyetje çështjet apo vendimet e mëdha, duhet unifikim.

Për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe, që pritet të themekohet në veri të Kosovës, Mogherini tha se ai do të jetë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së po qëndron në një vizitë në Kosovë e shoqëruar nga Komisioneri për çështje të brendshme, migracion dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos, vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian i dha dritën e gjelbër lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës brenda zonës Schengen.

Mogherini dhe Avramopoulos thanë në Prishtinë se presin miratimin e plotë të propozimit për liberalizim të vizave për Kosovën edhe nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli I Bashkimit Evropian, por paraprakisht theksuan se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe të fuqizojë luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Komisioneri Avramopoulos theksoi ndërkaq se BE-ja do të pranojë vetëm pasaportat bioemtrike të Kosovës, për shtetasit e saj, pavarësisht.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ka takuar në Prishitnë gjatë ditës kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takim me Përfaqësuesen e Lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka thënë se vitin 2016 Kosova e vlerëson si një vit Evropian.

“Unë shpresoj që gjatë mandatit si President, do të fitojmë edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke punuat bashkërisht”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është përqendruar sërish në propozimin e fundit të Komisionit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave. Ai e ka cilësuar këtë si vendim historik dhe e nxjerrë Kosovën nga izolimi.

Liberalizimi i vizave dhe Marrëveshja për Stabilizim Asocim, ka theksuar Mustafa, i hapin rrugën dhe perspektivën Kosovës në procesin integrues evropian.

"Konstatuam se e ardhmja e Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane, se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat perëndimore evropiane, se kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët me gjithë evropianët e tjerë", tha Mustafa.

Për nder të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Prishtina të enjten është stolisur me flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Vizita e saj vjen një ditë pasi Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi i Komisionit Evropian pritet të miratohet tani edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG