Ndërlidhjet

Fundi i izolimit


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe qytetarët, kanë mirëpritur propozimin e KomisionitEvropian drejtuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin të lirshëm në zonën Shengen.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka përshëndetur propozimin e Komisionit Evropian, duke shkruar “lamtumirë viza”.

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Mustafa, menjëherë pas lajmit për rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, ka pritur në një takim Samuel Zhbogar, Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë me ç'raste kryeministri ka pranuar dokumentin e Komisionit Evropian.

Mustafa, Zhbogar dhe Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku më pas kanë dal në një konference për media ku kanë theksuar se kjo ditë është e veçantë dhe historike për Kosovën.

Realizimi i lëvizjes së lirë, sipas kryeministrit Mustafa, erdhi si rezultat i bashkëpunimit të drejtpërdrejt ndërmjet qytetareve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtar të Kosovës.

"Për ne kjo është një ditë e madhe. Ditë e madhe për Kosovën për qytetarët e Republikë së Kosovës, sepse rekomandimi i Komisionit evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim më rendësi shumëdimensionale për vendin tonë. Sot kosovarët e dinë edhe ditën e afërt se kur ata mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova ka bërë një hap shumë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian", ka thënë mes tjerash Mustafa.

Përderisa ministri i Integrimit Evropian, ka thënë se me vendimin që ka marr Komisioni Evropian për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, ka vendosur hapin tjetër që ndërton përpjekjet e Kosovës për më shumë se katër vite.

"Vendimi i Komisionit Evropian është fillim i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më pro-evropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit. Rekomandimi i sotëm është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shengen për qytetarët e Kosovës. Procedura e vendimmarrjes ka nisur dhe ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare", ka thënë Çollaku.

Kurse, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vlerësuar se kjo ditë do të jetë e veçantë pasi që do të kujtohet përgjithmonë. Ai ka përgëzuar institucionet e Kosovës partitë politike, shoqërinë civile për punën e bërë sa i takon çështjes së liberalizimit.

"Të gjithë duhet të jeni krenar për punën e bërë. Nuk ka qenë një punë e lehtë. Ka qenë një rrugëtim të cilin e kemi bërë së bashku për ta bërë Kosovën një vend më të mirë. Vendimi i tregon se Bashkimi Evropian interesohet për Kosovës dhe do t’i mbështet qytetarët e saj në perspektiven e tyre. Izolimit të Kosovës po i vjen fundi dhe shpresojmë që do të ketë një Kosovës ku mund të jetohet në paqe dhe prospertitet", ka thënë Zhbogar.

Edhe qytetarët e kanë mirëpritur lajmin nga Komisioni Evropian për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Lulëzimi, një student nga Prishtina thotë se pas suksesit të djeshëm të Kosovës që u bë pjese e UEFA-s, lajmi për rekomandimi për viza është shumë i mirëseardhur.

"UEFA pa viza nuk ka pasur kuptim kështu që ka ardhur edhe lajmi tjetër pozitiv për Kosovën. Tash shpresojmë edhe në anëtarsime tjera sikurse në FIFA dhe në institucione tjera. Besoj se do të kemi mundësinë të paktën të lëvizim më lirë sesa që kemi lëvizur deri tani duke pritur shumë proceduara para ambasadave për viza", ka thënë Lulëzimi.

Edhe qytetarja Shenaj është shprehur e lumtur me propozimin për liberalizim të vizave, por thotë se duhet të respektohen procedurat dhe rregullat që parashihen për lëvizjen e lirë brenda zonës Shengen.

"Do të doja që institucionet të bëjnë më shumë, të informojnë sa i takon lirisë së lëvizjes, se çka na kufizohet e na lejohet në mënyrë që të vetëdijesohen qytetaret. Përndryshe jam shumë e bindur se fundi nuk do të jetë edhe aq i mirë me ndonjë suspendimin, ngase qytetarët mund të lëvizin dhe kërkojnë azil në shtetet e ndryshme", ka thënë kjo qytetare.

Në Ministrinë e Integrimit Evropian po bëhen përpjekje për të sqaruar se edhe lëvizja e lirë i ka rregullat që secili qytetarë duhet t'i respektojë. Me liberalizim të vizave mund të udhëtohet pa vizë në shtetet e zonës Schengen, por nuk mund të qëndrohet më gjatë se 90 ditë.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen. Udhëtimin pa vizë mund ta bëjë çdo qytetar shtetas i Republikës së Kosovës, që posedon pasaportë biometrike.

Por, pas liberalizimit të vizave, edhe qytetarët të cilët nuk kanë pasaportë biometrike, por kanë vizë valide Schengen, mund ta shfrytëzojnë atë për aq kohë sa kanë validitet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG