Ndërlidhjet

Kriza dhe korrupsioni zvogëlojnë interesimin për investime


Sa herë që flitet për zhvillim, rritje ekonomike në Kosovë, nga autoritetet kompetente përmenden investimet e huaja.

Këto investime edhe pse konsiderohen si infuzion për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, thuajse për çdo vit kanë pësuar rënie.

Viti 2014, ka qenë periudha kur në Kosovë ka pasur më së paku kapital të huaj dhe kjo për faktin se gjatë atij viti për gjashtë muaj radhazi, Kosova ishte zhytur në krizë politike e institucionale.

Kurse, gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja.

Edhe ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar për trendet ekonomike, ku sipas tij, treguesit ekonomik sugjerojnë se ekonomia e Kosovës është vendosur në një trend afatgjatë të rritjes.

Ai ka përmendur se investimet e jashtme gjatë vitit 2015 kanë qenë mbi 320 milionë euro, krahasuar me 151 milionë euro gjatë vitit 2014.

Ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se kriza politike dhe niveli i lartë i korrupsionit, ndikojnë në zbehjen e interesimit të investitorëve të huaj që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se arsye e mungesës se nivelit më të lartë të investitorëve është pasiguria e tyre për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në Kosovë.

“Gjithsesi edhe kriza politike është një dëm i madh që i bëhet Kosovës, për shkak se imazhi negativ, gjithmonë qarkullon më shpejtë në mediet globale. Dhe, kur mediet globale përqojnë këto mesazhe, investitorët e huaj të cilët edhe ashtu e kanë një imazh të dëmtuar në raport me Kosovën, krijojnë një perceptim negativ. Kur i shtohet edhe doza e pasigurisë në Kosovë, atëherë krijohet një panikë sa i përket sigurisë së investimeve”, ka thënë Balija.

Qeveria e Kosovës së bashku më partitë opozitare, sipas tij, do të duhej të punonin më shumë drejt krijimit të një imazhi më të mirë politik në vend, pasi ky imazh, siç thotë ai, po ndikon që investitorët e huaj kapitalin e tyre të orientojnë në vendet e rajonit.

Por, mendim tjetër për nivelin e ulët të investimeve të huaja në Kosovë, paraqet profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.

Ai shprehet se shkalla e lartë e korrupsionit dhe burokracia është pengesa kryesore e ardhjes se investitorëve të huaj në Kosovë.

‘‘Çështja e politikës që zhvillohet në nivel qendror, unë nuk besoj se ka ndikim aq sa qeveritaret tanë po mundohen ta shprehin këtë perceptim të tyre individual. Këtu është shkalla e lartë e korrupsionit dhe pamundësia e investitorëve që të jenë vërtet zot të bizneseve të tyre gjatë veprimit dhe niveli i shkallës se tatimeve (pasi i tatojnë qysh në fillim), tregon se Kosova nuk është mjedis i favorshëm për investitorët e jashtëm”, shprehet Ramosaj.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës thuhet se në muajin janar të këtij viti, vlera e investimeve ka qenë 16.3 milionë euro.

Patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet tjera biznesore, paraqiten si aktivitete ekonomike më atraktive për investitorët e huaj, pasuar nga shërbimet financiare. Vlera financiare më e madhe e investimeve direkte janë nga shteti i Zvicrës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Por, Shpend Balija, thotë se përqendrimi i investitorëve të jashtëm në sektorin e patundshmërisë nuk është i leverdishëm dhe fitimprurës për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve ë reja të punës.

“Për të qenë të kënaqur, sektori i prodhimit dhe shërbimeve duhet të jetë sektori i parë që tërheq investime të jashtme, pasi ky sektor krijon vende të reja të punës. Kurse në patundshmëri krijohen punë sezonale, kryesisht dhe nuk është investim i mirëfilltë pasi më vonë mund të krijohen fluske në çmimet e tregut të patundshmërive”, thekson Balija.

Qeveria e Kosovës ka përgatitur një projektligj për Investimet Strategjike, përmes së cilit thuhet se do të eliminohen pengesat e deritanishme për nxitjen dhe realizimin e investimeve të huaja, si burokracia e tepërt, procedurat e stërzgjatura, mungesa e transparencës, infrastruktura ligjore jo e favorshme të cilat kanë penguar dhe vështirësuar realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG