Ndërlidhjet

Kategoritë sociale rrezikojnë ta fusin në krizë ekonomike Kosovën


Nga buxheti i Republikës së Kosovës, në vit, ndahen mbi 350 milionë euro për personat të cilët hyjnë në skemën e kategorive sociale, të krijuar nga Qeveria e Kosovës, bëjnë të ditur përfaqësues të institucioneve vendore.

Kjo shumë vlerësohet të jetë një barrë e madhe për buxhetin e shtetit, i cili këtë vit kap vlerën e 1 miliard e 680 milionë euro.

Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara, pensionet e Trepçës dhe së fundi janë edhe beneficionet për veteranët e luftës, si dhe kategori tjera sociale.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se buxheti i vendit, konkretisht buxheti i kësaj ministrie, është i ngarkuar me mjetet që jepen për këto kategori.

“Shuma totale është mbi 351 milionë euro, e cila është më e madhja sa i përket shumës së tranfereve të ministrive të linjës. Ne konsiderojmë se kjo shumë është jashtëzakonisht e madhe, por mendojmë që të bëjmë politika që në të ardhmen kjo shumë të ulet pak."

"Ne jemi duke u munduar që shumica e këtyre personave të punësohen dhe të kenë benefite nga anët tjera, pasi që disa persona që marrin këto ndihma sociale nga shteti kanë mundësi edhe të punojnë”, thekson Hajzeraj.

Rrezikun nga ngarkesa që po i bëhet buxhetit të vendit nga skemat e shumta sociale e thekson edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi.

“Problemi qenësor qëndron në faktin që edhe shpenzimet tjera të Qeverisë nuk po gjenerojnë zhvillim ekonomik, stabilitet ekonomik dhe social dhe për këtë arsye shuma prej 350 milionë eurosh paraqet ngarkesë. Sikur shpenzimet tjera të kishin krijuar vende të reja të punës, atëherë situata do të ishte më ndryshe dhe ngarkesa sociale e buxhetit nuk do të peshonte aq sa është aktualisht”, thekson Rexhepi.

Ndërkohë, rritja ekonomike në Kosovë, e cila gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë deri në 3.8 për qind, nuk ka zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi.

Kjo situatë jo e mirë ekonomike, e cila është aktualisht në Kosovë, sipas ekspertit të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, mund të thellohet edhe më shumë.

“Meqenëse buxheti është nën presione të vazhdueshme, kryesisht nga segmentet sociale, ku gjithkush kërkon përfitime të drejtpërdrejta dhe jo përftime që krijohen përmes punësimit, vazhdimi i një situate të tillë sjell probleme, mund të sjellë krizë dhe mund ta sjellë Qeverinë e Kosovë në një situatë të rritjes së borxhit publik dhe kjo të shkaktojë një krizë edhe më të rëndë ekonomike në vend”, shton Rexhepi.

Zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme sociale, së fundi, është diskutuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e këtij mekanizimi kanë deklaruar se këto mjete për skemat sociale, veçanërisht të beneficioneve të lidhura me luftën, janë duke bërë presion gjithnjë e më të madh në buxhetin e Kosovës, si dhe po i minojnë përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale.

“Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një pako të masave, që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave, duke mbajtur shpenzimet përkatëse të ndërlidhura në 1 deri 1.25 për qind të Bruto Produktit Vendor, për vit”, thuhet në një njoftim të FMN-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG