Ndërlidhjet

Në maj, Kosova pret përgjigje nga UEFA dhe FIFA


ilustrim
ilustrim

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe dashamirët e futbollit, janë duke e pritur muajin maj, në gjysmën e parë të së cilit do të mbahen kongreset e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), në të cilat do të vendoset nëse Kosova do të bëhet anëtare e plotë e këtyre mekanizmave ndërkombëtarë të futbollit.

Në shtator të vitit të kaluar, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila është mbajtur në Maltë, është vendosur që aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, të shkojë në shqyrtim dhe të votohet në kongresin e ardhshëm të radhës. Ky kongres është caktuar të mbahet me 3 maj të këtij viti në Budapest.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se sinjalet për një pranim të mundshëm të Kosovës në organizatën evropiane të futbollit janë mjaft pozitive.

Siç thotë ai, barriera ligjore, e cila nënkupton një nen të statutit të UEFA-s, i cili parasheh që vendi që aplikon për tu anëtarësuar duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në rastin e Kosovës është anashkaluar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Tashmë, sipas tij, më 3 maj, në Konferencën e UEFA-s pritet që çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë të hidhet në votim.

“Në këtë kongres do të votohet dhe neve na duhet një shumicë e thjeshtë. Prej 54 votave na duhen 28 vota ‘për’. Shpresoj që ne do t’i bëjmë ato, sepse edhe në atë drejtim kemi punuar mjaft, pareshtur ndër vite e sidomos tash, në këto dy vjetët e fundit që kanë qenë edhe më intensive”.

Megjithatë, anëtarësimi në UEFA, sipas Vokrrit mbetet sfida kryesore, e cila nëse kalohet lehtëson rrugën në anëtarësimin e futbollit të Kosovës në Federatën ndërkombëtare të Futbollit - FIFA.

Kjo e fundit, do ta mbajë konferencën e saj të radhës në Meksikë, me 12 dhe 13 maj të këtij viti, ku do të shqyrtohet edhe pranimi i Kosovës në këtë organizatë, thekson Vokrri.

“Nëse kalojmë me 3 maj (në UEFA), sigurisht që edhe me 13 maj do të kemi më pak probleme duke marrë parasysh që statuti i FIFA-s nuk e parasheh (anëtarësimin në) Kombet e Bashkuara dhe pengesa ligjore”, ka thënë Vokrri.

Ndërkaq, Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka shprehur besimin e tij se Federata e Futbollit të Kosovës, përkundër pengesave të deritashme ligjore për anëtarësim ne federatat evropiane dhe botërore të futbollit, do të pranohet në to. Në të kundërtën, siç thotë ai, do të ishte një paradoks.

“Njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtarë, përveç tjerash, nënkupton që çdo sportist nga Kosova ka të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet për lojëra olimpike".

"Në këtë drejtim, edhe futbollistët kanë të drejtë. Kështu që, nuk mundet tash të dalë pengesë një anëtarë i Komitetit Olimpik ndërkombëtarë për ta pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës. Me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, çështja e ndërkombëtarizimit përfundon, kur bëhet fjalë për federatat ekzistuese dhe aktive në Kosovë”.

Hasani shtoi se pranimi eventual i futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, do t’i rrumbullakonte përpjekjet që janë bërë për rreth 20 vjet që edhe federatat e sporteve të Kosovës të jenë të barabarta me federatat sportive të botës dhe që sportistët e Kosovës të jenë të barabartë për kualifikime dhe pjesëmarrje në kampionate evropiane dhe botërore, si dhe në lojëra olimpike.

Në janar të vitit 2014, FIFA i kishte lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, por me disa kufizime. Ndeshjen e parë miqësore, të nivelit ndërkombëtarë dhe me lejen e FIFA-s, Kosova ka luajtur me 5 mars të vitit 2014, me përfaqësuesen e Haitit.

Që atëherë, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës ka zhvilluar një varg takimesh miqësore ndërkombëtare, në Kosovë dhe jashtë saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG