Institucionet shtetërore në Maqedoni, të cilat i obligon ligji për të kontrolluar rrjedhën e parave, thonë se nuk disponojnë me informacione se shtetas të Maqedonisë kanë të hapura llogari në kompanitë jashtë vendit, në Panama.
Ndërsa, hulumtimet e rrjetit të gazetarëve BIRN, kanë nxjerrë në pah se së paku pesë kompani nga Maqedonia kanë lidhje me letrat e Panamasë.
Nga rrjeti i gazetarëve hulumtues, kompanitë të cilat apostrofohen se kanë lidhje me “letrat e Panamasë” janë nga ndërtimtaria, madje mediet si dhe disa kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ish-drejtorin e Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim në Maqedoni.
Nga Dikasteri i Policisë Financiare kanë theksuar se deri më tani nuk kanë njohuri se ndonjë shtetas i Maqedonisë posedon llogari bankare në Panama, por nëse do të marrin një informatë të tillë menjëherë do të fillojnë me hetimet në këtë drejtim.
Por, ish-drejtori i policisë financiare, Miodag Llaboviq, konsideron se menjëherë duhet të fillojnë me hetime të gjitha organet kompetente në Maqedoni, të cilat janë përgjegjëse për parandalimin e krimit të organizuar, sidomos Policia Financiare, Agjencia për pengimin e larjes së parave në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale Publike në Maqedoni.
Megjithatë, Llaboviq vlerëson se institucionet shtetërore e kanë shumë vështirë të mbledhin dëshmi për lidhjet rreth transaksioneve të dyshimta po edhe më vështirë t’i kthejnë paratë, të cilat janë nxjerrë jashtë vendit.
“Nuk është dhe aq e lehtë që të mblidhen dëshmi, sepse në raste të këtilla kriminelët fshihen pas transaksioneve fiktive, të cilat në emër të tyre i bëjnë persona të autorizuar në vendet ku funksionojnë kompanitë ‘offshore’, siç është rasti i fundit në Panama”, thekson Llaboviq.
Por, ndryshe mendon Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike , sipas të cilit uzurpimi i institucioneve shtetërore nga një pjesë e udhëheqësve politikë ka bërë që institucionet që duhet të ndjekin rrjedhën e parave, të vihen në funksion të mbrojtjes së personave të caktuar, të cilët paratë e fituara në mënyrë joligjore t’i nxjerrin jashtë vendit.
“Maqedonia mbetet prapa identifikimit ose, le të themi, zbulimit të personave, të cilët mund të kenë ose kanë biznese të dyshimta që lidhen me këtë vend si Panamaja”.
“Kapja e institucioneve kryekëput nga politika, që nënkupton funksionimin perfekt në bazë të nevojave të disa individëve, që janë në krye të qeverisë, bën që opinioni në Maqedoni të privohet nga e drejta e informimit për çdo të dhënë që ka të bëjë me hyrje daljet e mjeteve financiare në Maqedoni. Përkatësisht, ata që janë të interesuar të bëjnë një hulumtim të transaksioneve se nga ku kanë ardhur mjete të caktuara ose ku përfundojnëato, nuk kanë qasje”, thotë Halili.
Nga kompanitë që funksionojnë jashtë shtetit të Bermudës, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë hyrë pothuajse 182 milion euro në Maqedoni ,në formë investimesh .
Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare Transparencë për Maqedoninë, thotë se pjesa më e madhe e të ashtuquajturave “para të lara” hyjnë përmes investimeve të huaja nga shtetet, të cila nuk janë të obliguara me ligj që të bëjnë të ditur se kush është pronar i firmave të caktuara.
Taseva thotë se struktura të caktuara do të përdorin krizën e thellë politike dhe atë institucionalë në të cilën ndodhet vendi, për të nxjerrë paratë e fituara në mënyrë joligjore në shtete që njihen si “parajsa tatimore”.
“Nuk përjashtohet mundësia që në Maqedoni të intensifikohen aktivitetet e kompanive të caktuara, por edhe të personave fizikë që të realizojnë transferim të parave, të cilat janë fituar në mënyrë joligjore".
"Në kushtet kur pjesa më e madhe institucioneve shtetërore, të cilat duhen të luftojnë krimin e organizuar, Prokuroria Speciale është shpresa e vetme për Maqedoninë. Kjo sepse bisedat e përgjuara prej ku mësuam se funksionarë të lartë të shtetit kanë keqpërdorur pozitat e tyre, janë një bazë e mirë për hetime, aq më shumë se institucionet ndërkombëtare janë më të hapura për bashkëpunim”, konsideron Taseva.
Ndryshe, sipas ligjeve ekzistuese në Maqedoni, kompanitë e vendit mund të kenë llogari në vendet e huaja, si dhe të themelojnë kompani jashtë vendit, dhe në këtë fazë mund të ketë edhe derdhje, por edhe të ardhura financiare.
Mirëpo,që të dëshmohet ligjshmëria e transaksionit, parashihet kontrollimi i prejardhjes së parave si dhe, a është paguar tatim për to. Sipas Ligjit për punë devizore, shtetasve të e Maqedonisë nuk u lejohet që të hapin llogari në bankat e huaja.