Ndërlidhjet

Thaçi zotohet për forcimin e identitetit shtetëror


Ceremonia e inaugurimit të presidentit Thaçi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Ceremonia e inaugurimit të presidentit Thaçi

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, është inauguruar të premten, në një ceremoni solemne, të organizuar në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës. Në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit, si dhe një numër i konsiderueshëm i mysafirëve nga shtete të botës.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Kosovës ishin presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe diplomatë dhe ambasadorë të vendeve evropiane e më gjerë.

Në këtë ceremoni të dorëzim pranimit të detyrës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentja e deritashme, Atifete Jahjaga, kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Zonja Jahjaga ia ka dorëzuar Kushtetutën e Republikës zotit Thaçi, për të shenjuar simbolin e nderit të detyrës së presidentit.

“Ua dorëzoj Kushtetutën e Kosovës që përcakton ardhmërinë e Kosovës, si shtet të lirë, ta pavarur, si shtet demokratik dhe paqedashës, dhe shtet i barabartë për të gjithë qytetarët”, ka thënë Jahjaga.

Zoti Thaçi ndërkaq është përgjigjur duke u zotuar në mbrojtje të Kushtetuës, të cilën e quajti "simbol dhe bazë elementare të shtetësisë së Kosovës".

Në fjalimin e tij, presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se do të punojë shumë në përforcimin e identitetit shtetëror.

“Unë jam vetëm një president i thjeshtë i një populli heronjsh. Ju premtoj se nuk ka fuqi që mund t’i ndalë ëndërrat e heronjve, ëndërrat tuaja, pritjet tuaja... Ju garantoj që shpresat, ëndërrat dhe pritjet tuaja, do të jenë ëndërrat, shpresat dhe vendimet e mija”, ka thënë Thaçi.

Para të pranishmëve, Thaçi ka shpalosur disa nga vijat e objektivave të tij si president i Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se do të jetë i paanshëm politikisht, si dhe do të forcojë agjendë të dialogut aktiv në mes të përfaqësuesve të popullit, pa dallime partiake.

“Në sistemin tonë demokratik, presidenti është gardian i kushtetutshmërisë. Nga momenti kur e dhashë betimin dje, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe gjeste...simbolet janë fuqi, sepse kanë domethënie edhe interpretimi i tyre. Do të punoj shumë për forcimin e identitetit shtetëror”, ka thënë Thaçi.

Ai ka folur edhe për fqinjësinë e Kosovës. Sipas Thaçit, Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes dy shteteve dhe dy popujve.

Presidenti Thaçi, është shprehur i bindur se pajtimi në mes këtyre vendeve do të ndodhë.

“Ne duhet ta vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar që ta anëtarësojmë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda, dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit dhe mos të dorëzohemi para urrejtjes”, ka theksuar Thaçi.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi, me theks të veçantë ka folur para të pranishmëve për valën e refugjatëve nga zonat e luftës, radikalizmin dhe terrorizimin, e bazuar në urrejtje dhe shkatërrim.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e përpjekjeve globale në luftën kundër terrorizmit.

“Aleatëve tanë të nderuar dhe miqëve nga mbarë bota iu premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit anti-terrorist. Kosova do të jetë inicuese e nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinjë, Kosova po kultivon frymën e dialogut, Kosova njeh kulturën e negociimit, për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë të enjten betimin para Kuvendit të Kosovës, në një seancë solemne.

Seanca solemne e betimit të presidentit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Ndërkaq, ceremonisë së inaugurimit, të premten, në qendër të Prishtinës i ka paraprirë hedhja e gazit lotsjellës, disa metra larg vendit të inaugurimit.

Hedhja e gazit lotsjellës është bërë gjatë kohës kur mysafirët po zënin vendet e tyre, për përcjelljen e ceremonisë.

Përgjegjësinë për gazin lotsjellës e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik në opozitë.

"Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës. Ai u zgjodh si rezultat i shantazhit dhe blerjes së deputetëve të LDK-së dhe si rezultat i kompromiseve ndaj Listës Serbe të Serbisë", thuhet mes tjerash në reagimin e VV-së, në të cilën është postuar edhe videoja nga hedhja e gazit lotsjellës.

Ndryshe, zoti Thaçi është zgjedhur president i vendit gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës më 26 shkurt të këtij viti, në një seancë me tensione politike, gaz lotsjellës dhe me përplasje të dhunshme në rrugë ndërmjet mbështetësve të opozitës dhe forcave të rendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG