Ndërlidhjet

Sektori privat preferon kushte për gjenerim të vendeve të punës


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e Kosovës duhet të përmirësojnë ambientin afarist, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja të punës, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe investitorëve evropianë në Kosovë.

Takimet e shumta të krerëve të institucioneve që po iu bëjnë bizneseve, thonë ata, duhet të rezultojnë me marrjen e hapave konkret në përmirësimin e politikave ekonomike.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë ditëve të fundit, ka vizituar një numër të konsiderueshëm të bizneseve private, siç thuhet, “për të parë nga afër problemet më të cilat ballafaqohet sektori privat”.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, konsideron se vizitat e tilla janë të mira, por që bizneseve përveç deklaratave i nevojitet ambient i favorshëm afarist.

“Përkrahja e bizneseve dhe gjenerimi i vendeve të punës më së miri vjen nga rregullimi i ambienti të të berit biznes. Vizitat e tilla janë të mirëseardhura dhe dërgojnë një sinjal pozitiv, por që mendojë se janë më tepër vizita sipërfaqësore. Bizneset më shumë kanë nevojë përvijimin e politikave të mira ekonomike”, thekson Balija.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq, varfëria ekstreme 10 për qind.

Që të ketë zhvillim të sektorit privat e më pas gjenerim të vendeve të reja të punës, Shpend Blija, thotë se institucionet duhet të bëjnë reforma fiskale, pasi që sipas tij, në situatën në të cilën gjenden bizneset private, vështirë se mund të ketë ulje të papunësisë.

“Reformat e pakos fiskale që janë bërë kanë pasur efekt, por jo ashtu siç është pritur , sepse lënda e parë dhe makineria prodhues nuk është liruar në tërësi nga taksa doganore. Ka lëndë të parë që duhet të paguajë tarifë doganore, e cila krijon pastaj kosto më të lartë për biznesin. Kemi sfida të ndryshme në fusha të ndryshme e që duhet të rregullohen”, thekson Balija.

Raportet e shumta si të organizatave në Kosovë ashtu edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, kanë treguar për një ambient jo të favorshëm biznesor në Kosovë.

Raporti i Bankës Botërore "Të bërit biznes për vitin 2016", e ka radhitur Kosovën në pozitën 66 –të.

Për ambient jo të mirë biznesor në Kosovë, flasin edhe vetë pronarët e bizneseve vendëse.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e Kosovës në fokus duhet te kenë ndryshime në politikat tatimore.

“Politika tatimore ka të bëjë me taksën në lëndën e parë, derisa nuk hiqet taksa në lëndën e parë, pa marrë parasysh se ajo lëndë e parë nga kush importohet nga kompanitë tregtare apo prodhuese, deri në atë moment që të arrihet kjo, nuk pritet të ketë punësim shumë të mirë në Kosovë”, shton Piraj.

Disa nga barrierat tjera që pengojnë zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, sipas bizneseve janë edhe konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, furnizimi jostabil me energji elektrike, kontestet ekonomike ndërmjet bizneseve si dhe normat e larta të kredive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG