Afër 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore gjenden jashtë territorit të Kosovës, konkretisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Sipas një dokumenti të publikuar të enjten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 36, në Bosnje e Hercegovinë 18, kurse prona të tjera gjenden në Kroaci në Maqedoni dhe në Slloveni.
Kryesuesi i njësisë për marrëdhënie me publikun në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Veton Hajdini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo agjenci është administratore e të gjitha aseteve që gjenden në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj.
“Në këto lista figurojnë asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe mandati i agjencisë është që të trajtojë dhe shqyrtojë procedurat e mëtutjeshme të adresimit të ndërmarrjeve shoqërore”, ka deklaruar Hajdini.
Në bazë të dokumentit të kësaj agjencie, shumica e pronave janë lokale dhe zyra.
Vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 34 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 17 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing- Export”.
Lidhur më zgjidhjen e problemit të pronave që gjenden jashtë territorit të Kosovës, ekspertë për çështje ekonomike, shprehen se autoritet duhet të reflektojnë shpejtë në këtë çështje, pasi sipas tyre, ata janë vonuar.
Musa Limani, profesor i ekonomisë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qeveria, ish Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe tashmë Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk e kanë trajtuar shumë këtë problem, edhe pse bëhet fjalë për vlera shumë të mëdha financiare.
“Kjo nuk do të duhej të ishte çështje e vështirë. Duhet të shikohet në mënyrë analoge, se si e kanë zgjedhur republikat tjera, sepse ish-Jugosllavia, dihet se ka qenë e përbashkët dhe normalisht se janë ngritur fabrika nga një republikë në republikën tjetër".
"Por, republikat tjera e kanë zgjedhur këtë problem. Normal se duhet të shqyrtohen edhe disa ndërmarrje të pakta që kanë qenë të Serbisë në Kosovë“, ka thënë Limani.
Sipas profesorit Limani, nëse shtetet ku gjenden pronat e Kosovës paraqesin ndonjë problem eventual, atëherë çështja duhet të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar.
“Normalisht se nuk mundet askush të mohojë çështjen e pronësisë. Por, në rast se nuk dëshirojnë, duhet të hyhet në arbitrazh dhe me të drejtën ndërkombëtare mund të zgjidhet ky problem. Mirëpo për fat të keq, qeveria jonë ka probleme tjera".
"Ka problemin e karriges dhe ruajtjen e pozitave. Pra, gjithmonë jemi vonuar për zgjidhjen e problemeve madhore, por jo për ruajtjen e pozitave”, thotë Limani.
Ndryshe, që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2003, AKP ka privatizuar 1290 prona brenda territorit të Kosovës dhe asnjë pronë në vendet e rajonit.
Ndërsa të paprivatizuara kanë mbetur edhe 1680 prona, kryesisht lokale, tokë bujqësore dhe fabrika.