Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë,i emëruar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka gjetur shkelje në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kështu është thënë në konferencën e përbashkët që presidentja Jahjaga ka mbajtur me tre përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje, dhe kanë vlerësuar se procesi u është përmbajtur rregullave ligjore”, ka deklaruar Jahjaga.
“Komisioni ka vlerësuar se ky proces i demarkacionit është dashur të jetë më transparent, përfshirë edhe familjarizimin e publikut, përfshirë hartat dhe gjetjet gjeodezike."
"Siç e dini, ky komision i thirrur dhe i përzgjedhur nga unë për këtë proces të demarkacionit, ka biseduar me një spektër të gjerë ekspertësh, qytetarësh e politikanësh, dhe si rezultat i bisedimeve me gjithë spektrin politik”, ka thënë Jahjaga.
Në fund, presidentja Jahjaga i ka ftuar të gjitha partitë politike dhe subjektet relevante ta respektojnë punën e këtij ekipi ad hok.
Marrëveshja për demarkacionin është kundërshtuar ashpër nga opozita në Kosovë, e cila e ka vlerësuar se me anë të saj, Kosova ka humbur një pjesë të territorit të saj.
Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma i kishin reaguar presidentes Atifete Jahjaga, në lidhje me vendimin e saj për formimin e këtij komisioni.
“Në këto rrethana rikujtojmë edhe njëherë se peticioni i qytetarëve me 205 mijë nënshkrime, ekspertët e fushës dhe subjektet opozitare kanë kërkuar anulimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit më Malin e Zi të nënshkruar nga Hashim Thaçi në 26 mars në Vjenë”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të opozitës, menjëherë pas vendimit të Jahjagës për formimin e këtij komisioni.
Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës se një komision i tillë do të përfshinte edhe ekspertë vendorë, kjo nuk ka ndodhur. Opozita kishte insistuar që si pjesë e tij të jenë edhe ekspertë nga Kosova.
Ndërkohë, pas kumtimit të konkluzioneve nga ekipi ndërkombëtar i ekspertëve, ka reaguar edhe Qeveria Kosovës.
“Jemi të kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion. Kështu, ky komision rikonfirmon atë që është konfirmuar edhe më herët se me shënimin e vijës kufitare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Kosova as nuk ka humbur e as nuk ka falur tokë”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Qeveria përshëndetë gjithashtu gjetjet e Komisionit për Demarkacion, sepse ato, duke qenë edhe në përputhje me përfundimet e mëhershme të Departamentit Amerikan të Shtetit, heqin të gjitha dilemat rreth kësaj çështjeje, thuhet ndër të tjera në reagimin e qeverisë.
Subjektet politike në opozitë kanë kundërshtuar në vazhdimësi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke konsideruar se cënon tërësinë territoriale të Kosovës.