Ndërlidhjet

Gjermania më e preferuara për punësim sezonal


Ilustrim
Ilustrim

Brenda tre muajve, mbi 1200 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për punë sezonale vetëm në shtetin e Gjermanisë, bëjnë të ditur përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.

Gjermania, në fund të vitit të kaluar, pati shpallur Kosovën vend të sigurt të origjinës, ku edhe kishte ndryshuar kushtet dhe kriteret për punësim të përkohshëm të qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se njëra nga marrëveshjet më të rëndësishme në kuadër të punësimit sezonal, është arritur me shtetin e Gjermanisë.

“Suksesi ka të bëjë me shtetin gjerman ku edhe kanë qenë synimet dhe orientimet tona, si proces po rrjedh mirë, ne kemi marrë një plotësim ndryshimi të ligjit ku lejohen punëkërkuesit tanë të aplikojnë në vende të lira të punës me kushte specifike për në Gjermani”.

“Të dhënat e fundit që i kemi marrë nga shteti gjerman tregojnë se për viza pune nga janari e deri më tani, kanë aplikuar mbi 1200 punëkërkues nga Kosova”, ka thënë Abrashi.

Sipas marrëveshjes që Kosova ka arritur me Gjermaninë, ka bërë të ditur Abrashi, deri në vitin 2020, do të punësojë për punë sezonale 5 mijë punëkërkues nga Kosova.

Kosova e cila ka filluar lobim me shtete evropiane dhe më gjerë, qysh nga viti i kaluar, sipas ministrit Abrashi, ka arritur të vë kontakte për punësim sezonal edhe me shtete tjera, siç është Finlanda dhe shteti i Maltës.

Derisa, një numër i punëkërkuesve nga Kosova ka filluar të pajiset me viza pune për Emiratet e Bashkuara Arabe, në fushën e hotelerisë, turizmit, transportit dhe shërbime tjera.

“Punësimi jashtë apo migrimi qarkor jashtë, është në funksion të lehtësimit të presionit të tregut të punës në Kosovë dhe në funksion të marrjes së shkathtësive profesionale në disa fusha si hoteleri, turizëm dhe ndërtimtari. Këto aftësi apo shkathtësi që këta punëkërkues mund t’i marrin në këto shtete, nuk i ofron sistemi edukativ dhe qendrat profesionale në Kosovë”, thotë Abrashi.

Punësimi sezonal në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian vazhdimisht është konsideruar projekt i nevojshëm për qytetarët e Kosovës, ku papunësia është mbi 35 për qind.

Punëkërkuesit nga Kosova thonë që sikur institucionet e Kosovës të arrijnë të realizojnë punësim sezonal, atëherë, të gjithë ata do të pranonin një punë të tillë.

Arian Sylejmani një qytetar nga Prishtina, thotë të jetë i papunë tani e sa vite.

Ai thotë se nuk ka arritur të gjejë punë në profesionin e tij, por që si punë sezonale diku në vendet e Bashkimit Evropian, thotë se do të kishte punuar nëse do t’i ofrohej mundësia.

“Punësimi sezonal ka qenë i njohur qysh moti. Institucionet e Kosovës duhet të punojnë në këtë drejtim dhe ta na mundësojnë neve të papunëve që të punojmë diku në ato vende ku kanë nevojë për punë. Unë do të shkoja të punojë me shumë dëshirë”, thotë ai.

Interesim për të punuar punë sezonale jashtë Kosovës kanë edhe studentët.

Berati i cili studion në Universitetin e Prishtinës, thotë se do të kishte pasur dëshirë të punonte punë sezonale në profesionin e tij, por që do të kishte pranuar të punonte edhe punë tjera, siç është fusha e hotelerisë.

“Me dëshirë do të punoja në profesionin tim, pasi që do të përfitoja edhe përvojë pune dhe do të fitoja shkathtësi, por do të punoja edhe si kamerier apo ndonjë punë që është e lehtë për ta punuar”, thotë ai.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, derisa ky treg absorbon jo më shumë se 4 mijë punëtorë.

Ndërkaq, rreth 300 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën, numër ky që mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG