Ndërlidhjet

Tërnava: Terroristët nuk njohin vend as fe


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava

"Zëri i Amerikës"

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, i dënoi sulmet e një dite më parë në Bruksel, të cilat sipas tij argumentojnë se terroristët nuk njohin vend dhe besim. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ai tha se Bashkësia islame e Kosovës solidarizohet me njerëzit e pafajshëm që pësuan nga këto akte terroriste e kriminale.

“Nga njerëz të pashpirt, nga njerëz të cilët janë të verbër në shpirt e në mendje dhe në zemër dhe bëjnë akte të tilla të prirë nga ndenja e shkatërrimit. Andaj ne solidarizohemi dhe lusim zotin që sa më shpejt të shërohen edhe ata të plagosur të cilët janë me qindra në këto shpërthime, sikundër solidarizohemi edhe me shpërthimet tjera të cilat ndodhën në Stamboll dhe Ankara para disa ditësh dhe këto shpërthime argumentojnë edhe një herë se terrori dhe terroristët nuk njohin vend nuk njohin fe, nuk njohin gjuhë, por terrori mbetet terror”, tha myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava tha se këto shpërthime i bëjnë dëme fesë në të cilën thirren ata kriminelë dhe se këto nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin islam.

“Islami është kundër këtyre akteve, është kundër çdo gjëje që shkon në të keq të individit, familjes dhe shoqërisë dhe Islami asgjë nuk ka të përbashkët me këto akte me këtë terror, me këto krime që po ndodhin fatkeqësisht në emër të fesë Islame, fe që është e pastër si loti në burimin e saj”, tha myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava thotë se sulmet e tilla krijojnë ndjenjë të frikës edhe në Kosovë. Ai thotë se Bashkësia islame e Kosovës dhe institucionet e vendit kanë një projekt të përbashkët që të luftojnë ekstremizmin dhe radikalizmin dhe shtytjen deri në terrorizëm.

“Dhe bashkërisht jemi duke dhënë një kontribut të madh në parandalimin e çdo gjëje të keqe që mund të ndodhë edhe në Kosovën tonë sepse ne nuk mund të jemi përjashtues nga këto sulme barbare dhe të këqija, krime apo terrori. Por, unë ftoj sërish besimtarët islam, kudo që ata gjenden brenda trojeve tona etnike, posaçërisht në Kosovë, që të japin kontributin e tyre, që nëse diçka dinë të lajmërojnë institucionet tona, të bashkëpunojnë me institucionet tona, sepse Kosova dhe interesi kombëtar është mbi çdo gjë dhe ne assesi nuk mund t'ia lejojmë asnjë grupi apo individi, asnjë ekstremisti, terroristi apo krimineli që t'i bëjë keq shoqërisë sonë e cila shekuj me radhë e ka kalitur ndjenjën e e harmonisë, paqes, dashurisë dhe vëllazërisë”, tha myftiu Tërnava.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60 sish. Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në mesin e tyre edhe imamë të xhamive në Kosovë për nxitje të qytetarëve për të marr pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme.

Myftiu Tërnava thotë se disa imamë në ligjëratat tyre kanë përdorur një fjalor jo të urtë siç urdhëron feja islame dhe kanë tejkaluar limitet që ju lejohen të flasin nëpër xhami.

“Dy prej tyre i kam suspenduar nga puna, disave ju ka dhënë vërejtje të fundit me shkrim, disa janë në procese të komisioneve të ndryshme disiplinore në Bashkësinë Islame, por megjithatë mund të them se brenda imamëve të Bashkësisë Islame është një frymë tolerante, vëllazërore, është një frymë që imamët e Kosovës e donë vendin e vet dhe ardhmërinë e tij duke pasur parasysh gjithherë se mund të ketë individë të cilët mund të fshehin në zemrat e tyre atë të cilën ata nuk e flasin. Nuk do të lejohet asnjë imam në Kosovë të ketë qëndrime radikale apo ekstreme”, tha myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava tha se vlera më e madhe e kombit shqiptar është respekti i ndërsjellë mes besimeve, shembull që siç thotë ai, duhet të ndiqet nga vendet tjera për harmoninë ndërfetare e cila ekziston në mesin e shqiptarëve.

* Ky material u publikua fillimisht në​ VOA Shqip.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG