Ndërlidhjet

Mitrovica i rikthehet heqjes së “Parkut të paqes”


Pavarësisht zvarritjeve në dukje, puna për revitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, i cili ndan veriun dhe jugun e Mitrovicës, do të nisë dhe punimet do të përfundojnë brenda afatit të paraparë në marrëveshjen e Brukselit, vlerësojnë zyrtarët e dy komunave të Mitrovicës, të veriut dhe jugut.

Rrethojat që shënojnë vendpunimin në urën kryesore mbi lumin Ibër janë vendosur në mesin e muajit tetor të vitit 015, por deri më tash aty nuk është bërë asgjë më shumë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se arsyeja e moszhvillimit deri më tash të punimeve në urën kryesore mbi lumin Ibër, janë të natyrës teknike dhe burokratike. Sipas tij, për realizimin e projektit, fillimisht është dashur të ndiqen procedurat e tenderit, si dhe përzgjedhjes së kompanisë e cila do t’i zhvillojë punimet.

“Këtu kanë qenë disa çështje. Tenderimi zgjatë 3 muaj. Më pas ai 45 ditë duhet të jetë i hapur. Pastaj bëhet zgjedhja e kompanisë dhe më pas edhe 1 muaj shkon në rast se ka dikush ankesë. Jën këto procedura, të cilat neve nuk na kanë lënë të ecim më shpejtë”, ka theksuar Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk merret shumë me çështjen e revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, për shkak se sipas tij, këtë obligim e ka marrë Bashkimi Evropian.

“Rreth punimeve në urë, obligimet i ka marrë Bashkimi Evropian, e cila e hapë tenderin dhe zbaton procedurat. Kjo çështje nuk ka të bëjë me neve”, ka thënë Rakiq.

Por, Bahtiri thekson se ka marrë garanci nga udhëheqësi i operacioneve në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christoph Stock, si dhe nga shefi i kësaj Zyre, Samuel Zhbogar, se tashmë është zgjedhë kompania që do ta zbatojë projektin dhe se punimet do të përfundojnë deri në fund të qershorit.

“Tash i lëshohet kontrata dhe po mendoj që ura do të jetë e gatshme në mënyrë teknike, krejtësisht, në atë kohë që është përcaktuar në Bruksel, në fund të qershorit. Kështu më është thënë edhe nga Christoph (Stock) por edhe nga (Samuel) Zhbogar, i cili ma ka dërguar një shkresë, ku ka treguar se kompania është përzgjedhur dhe tani do të fillojë me punën, të cilën e ka kontraktuar”, ka thënë Bahtiri.

Edhe Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht, konsulentët e angazhuar nga Bashkimi Evropian, po punojnë në fazën që përfshinë anën burokratike për realizimin e projektit të revitalizimit të urës mbi lumin Ibër.

“Unë mendoj që punimet do të nisin shpejt. Nuk e di kur dhe nuk i di detajet. Por, e di që shtëpia për konsulentë e cila është zgjedhur nga Bashkimi Evropian, është në terren, kanë ardhur në komunën tonë për çështjet që kanë të bëjnë me dokumentacionin dhe burokracinë. Unë pres që kjo pjesë e marrëveshjes së Brukselit të zbatohet ashtu siç edhe është arritur marrëveshja”, theksoi Hoxhiq.

Aktualisht mbi urën kryesore mbi lumin Ibër vazhdon të qëndroj barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, e cila ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.

Revitalizimi i kësaj ure, nënkupton edhe heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, i cili jo rrallë, ishte bërë shkak i tensioneve ndërmjet shqiptarëve që janë popullatë shumicë në komunën jugore të Mitrovicës dhe serbëve që janë popullatë shumicë në komunën veriore të Mitrovicës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG