Ndërlidhjet

Sheshel shpreson që Trump do të zgjidhet president i SHBA-ve


Vojsllav Sheshel
Vojsllav Sheshel

Lideri nacionalist serb dhe i dyshuari për krime lufte, Vojsllav Sheshel ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin do të “kalonte mirë” me Donald Trumpin, nëse ky i fundit e fiton garën për president të SHBA-ve.

Ai tha se një fitore e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit “do ta ndryshonte tërësisht politikën amerikane”.

Duke folur nga Beogradi për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, Sheshel tha se Trumpi dhe Putini do të punonin bashkërisht për “paqen në botë.

“Shpresoj shumë në fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet amerikane. Mendoj se ai do ta ndyshonte tërësisht politikën amerikane dhe se së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, do të kalonin shumë mirë. Kjo gjë do të ndikonte për paqen në botë. Së bashku, ata do të ishin në gjendje t’i zgjidhnin të gjitha krizat botërore, për dallim nga administrata e tanishme e SHBA-ve, e cila në vazhdimësi krijon kriza të reja”, ka thënë Sheshel, në një intervistë dhënë përmes Skype-it.

Shesheli, i cili ishte zëvendëskryeministër i Serbisë në periudhën 1998-2000, gjithashtu tha se Trumpi e kishte kundërshtuar publikisht fushatën ajrore të NATO-s, të vitit 1999, kundër Serbisë.

“Jam shumë i sigurt se diçka do të ndryshonte, nëse e marrim parasysh faktin se Trumpi patë thënë se bombardimi ndaj Serbisë në vitet ’90 ishte një gabim i madh, dhe se ai e kishte sulmuar administratën e Clintonit për këto veprime. Dhe ajo që ne shpresojmë më së shumti është se Trump dhe Putin do të negocionin për të gjitha problemet në botë. Kjo është ajo që duam ne. Ne jemi vend i vogël për t’i drejtuar politikat botërore”, ka thënë Sheshel nga Beogradi.

Radio Evropa e Lirë nuk ka gjetur asnjë fakt për të mbështetur pretendimet e Sheshelit se Trump e kishte kundërshtuar fushatën e NATO-s, e cila ishte e mbështetur nga administrata e presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Shesheli, 61 vjeçar, ndodhet në Serbi që nga viti 2014, pasi ishte liruar përkohësisht për shkaqe shëndetësore, nga gjykimi i tij në Hagë për krime lufte.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës pritet më vonë këtë muaj që të shpall një vendim për gjyqin e tij, në të cilin ai përballet me tre akuza për krime kundër njerëzimit, që lidhen me përfshirjen e tij në luftërat në Jugosllavi.

Aleati i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit akuzohet se i ka udhëhequr vullnetarët serbë për të spastruar etnikisht pjesë të mëdha të Bosnjës, Kroacisë dhe rajonit verior të Vojvodinës në Serbi, gjatë luftërave që shpërthyen në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitet ’90.

Në nëntor të vitit 2014, Gjykata e Hagës e kishte lejuar kthimin e tij në Serbi, pas 12 vitesh paraburgim, në mënyrë që ai të trajtohej nga kanceri.

Sidoqoftë, gjykata e kishte urdhëruar Sheshelin që të kthehej mbrapa disa muaj më vonë, duke theksuar se ai kishte shkelur kushtet e marrëveshjes, pasi u kishte thënë përkrahësve të vet se ai nuk do të kthehej më kurrë në Hagë.

Gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, Sheshel tha se shëndeti i tij po përmirësohet dhe se ai po ndihet shkëlqyeshëm.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG