Ndërlidhjet

Dënohet sulmi ndaj ndërtesës presidenciale


Zyret e presidentes së Kosovës, që gjenden në objektin e Kuvendit.
Zyret e presidentes së Kosovës, që gjenden në objektin e Kuvendit.

Janë sulmuar me koktej molotovi zyret e presidentes së Kosovës Atifete Jahgaja, të cilat gjenden në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e hershëm të së shtunës. Nga sulmi, janë thyer disa dritare të objektit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë sulmin në drejtim të ndërtesës Presidenciale.

“Me datën 12.03.2016 rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona të dyshuar, të maskuar kanë hedhur koktej molotovi në drejtim të ndërtesës Presidenciale. Pas hedhjes së koktej molotovit personat dyshohet se janë larguar në drejtim të rrugës ‘Agim Ramadani’ me një veture ngjyrë të bardhë".

"Fillimisht, dyshohet se me gurë e kanë thyer xhamin e dritares ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur, pasi që shishja është goditur në muri, ku shihet një sipërfaqe e murit rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes së shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit”, ka theksuar Ahmeti.

Në vendngjarje, ka shtuar Flora Ahmeti kanë dalë të gjitha njësitet policore relevante, duke përfshirë edhe njësinë e hetimeve dhe krim-tekniken rajonale për të kryer ekzaminimin e vendit te ngjarjes, duke përfshirë dëshmitë në vendngjarje.

Ndaj sulmit me molotov drejt zyrave të Presidencës ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në profilin e saj në facebook, Jahjaga e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm që dëmton pronën publike si dhe synon krijojë pasiguri për qytetarët e Kosovës.

“Presidentja Jahjaga shpreh shqetësimin e saj për veprime të tilla të vandalizmit ndaj pronës publike dhe private”.

“Presidentja Jahjaga kërkon nga Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë sulmin dhe t’i sjellin para drejtësisë kryesit e kësaj vepre dhe apelon te publiku që të ndihmojnë organet e rendit t’i zbardhin këto raste”, shkruan në llogarinë e presidentes në facebook.

Sulmin ndaj zyrave të presidentes së Kosovës e kanë dënuar autoritetet e Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, e ka dënuar ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotovi mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike”, thuhet në njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Aktet e tilla, Qeveria e Kosovës i ka konsideruar të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet e renditë që të zbardhen rastet e tilla dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

"Është në interesin e qytetarëve dhe shtetit që mekanizmat ligjorë të sigurisë e drejtësisë të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri në zbardhjen e organizatorëve dhe kryesve të këtyre veprimeve të turpshme, të papranueshme dhe të dënueshme", ka thënë Veseli.

Sulmin me koktej molotovi ndaj zyreve të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e kanë dënuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG