Ndërlidhjet

Kuvendi pa opozitë i ngjan sistemit totalitar


Strategjia e re e partive opozitare në Kosovë për braktisjen e seancave të Kuvendit të Kosovës e shpie vendin në pozicionin që funksionimi i Kuvendit t’i ngjajë një sistemi totalitar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata theksojnë se një situatë e tillë ia humb kuptimin demokracisë.

Kjo formë e funksionimit të Kuvendit të Kosovës, i përbërë vetëm nga partitë politike në pushtet, e shndërron atë në një institucion që nuk përfaqëson të gjitha grupet e ndryshme të shoqërisë dhe pikëpamjet e ndryshme politike, të cilat do të duhej t'i kishte një Kuvend.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës Albert Krasniqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kuvendi pa opozitë do ta humbiste kuptimin e tij në aspektin politik.

“Do të krijohet një Kuvend, i cili do të kontrollohet tërësisht nga partitë në pushtet dhe nuk do të kishim fare opozitë në Kuvendin e Kosovës, çka na ngjan pastaj në një sistem totalitar; efekti do të ishte shumë më i madh dhe i ndryshëm nga bojkotimi i Kuvendit, ku ato ulëse do të mbeteshin të zbrazëta dhe nuk do të zëvendësoheshin me deputetë tjerë”, shton ai.

Megjithatë, sipas Krasniqit, në aspektin procedural, një Kuvend vetëm me deputetët e partive në pushtet, nuk do të kishte pengesa të funksionojë, pasi që ata mbulojnë dy të tretat e vendeve. Me këtë numër të deputetëve, siç thotë ai, Kuvendi mund të bëjë edhe ndryshime kushtetuese.

Në anën tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj idenë e braktisjes së Kuvendit nga partitë opozitare nuk e sheh si një ide të mençur.

“Ndërrimin e strategjisë që nënkupton braktisjen e Kuvendit, nuk e shoh pozitive, duke pasur parasysh se kjo do të lë një zbrazëtirë shumë të madhe në atë që ata e quajnë shfrytëzim të jetës parlamentare. Vendi i opozitës është në Kuvend dhe ata duhet të shfrytëzojnë Kuvendin si institucionin përfaqësues për të provuar që t’i arrijnë qëllimet e veta”, shton Mushkolaj.

Opozita, shton Mushkolaj, duhet të shqyrtojë kundërshtimin e qeverisë duke ofruar alternativë konkrete qeverisëse.

Ndërkohë, mundësinë e heqjes dorë nga praktikat e hedhjes së gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit, të cilën tashmë e ka paralajmëruar njëra prej subjekteve opozitare, analisti i Institut Demokratik të Kosovës Albert Krasniqi e vlerëson si një gjë të mirë për faktin se, sipas tij, po synohen rrugë institucionale të kundërshtimitpolitik.

“Besoj që efekti i tyre do të jetë më i madh pasi që gazi lotsjellës nuk është mirëpritur nga qytetarët, por edhe nga faktori ndërkombëtar në Kosovë, dhe nuk është se efektet kanë qenë të dëshiruara që opozita i ka pasur si qëllim përfundimtar, shkuarjen në zgjedhje të parakohshme dhe rrëzimin e Qeverisë”, thekson Krasniqi.

Ndryshe përfaqësuesit e dy partive opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në prononcimet që i kanë dhënë për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, kanë deklaruar se nuk kanë hequr dorë nga veprimet e deritanishme, përfshirë këtu edhe përdorimin e gazit lotsjellës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG