Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka listuar prioritetet e qeverisë së tij për këtë vit.
Ai ka thënë se autoritetet do të iniciojnë: kompensimin e dëmeve të luftës, zbardhjen e të gjitha rasteve të të pagjeturve, zbardhjen e dyshimeve të vrasjeve politike dhe reformën zgjedhore.
“Realizimi i këtyre objektivave është në interes të vendit, të qytetarëve dhe të të gjitha subjekteve politike”, ka thënë Mustafa.
Qeveria e tij po përballet me kundërshtime dhe bojkot të punës nga opozita, për shkak të marrëveshjes që ka nënshkruar Mustafa me Serbinë, për formimin e Asocicacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Tensionet i ka shtuar edhe zgjedhja e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në postin e presidentit.