Ndërlidhjet

Thirrje për zero tolerancë ndaj korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk guxon të tolerojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, është thënë të martën në Prishtinë, gjatë një konference të organizuar nga Grupi për Studime Juridike e Politike me temën, “Lufta kundër korrupsionit politik - Sfidat në funksion të reformave të ardhshme”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka kërkuar që prokurimi publik të jetë sa më transparent, ngase kjo, sipas tij e bën më të vështirë dukurinë e vjedhjes.

“Çdo shkelës i ligjit duhet të ndiqet penalisht, të dënohet dhe burgoset”, ka thënë Delawie, duke inkurajuar edhe shoqërinë civile ta kryejë pjesën e vet të punës.

“Lufta kundër korrupsionit është tepër me rëndësi për të ardhmen e Kosovës si një shtet demokratik në zemër të Evropës”, ka theksuar Delawie.

Përpjekjet e institucioneve për luftimin e korrupsionit, sipas ambasadorit amerikan, do të hasin në mbështetje të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë vetëdije nacionale për qytetarët e Kosovës, e nuk duhet të vijë si shtytje nga të tjerët.

Sipas tij, sa herë që ka raste korruptive ato duhet të adresohen, por adresimi duhet të jetë i saktë dhe jo të gjeneralizohen gjërat.

“Nuk duhet t’i tolerojmë shkelësit e ligjit, por nuk duhet t’i tolerojmë as toleruesit e shkelësve të ligjit. Kemi nevojë ta krijojmë një ambient shoqëror të luftimit të kësaj dukurie. Ne e kemi ambientin relativisht pozitiv dhe këtë ambient duhet ta shfrytëzojnë gjyqtarët, prokurorët dhe policët, por jo në kuptimin negativ, por në atë pozitiv me prova”, ka theksuar Kuçi.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka ngritur çështjen e përgjegjësisë dhe sanksioneve. Ai ka kritikuar autoritetet gjegjëse për faktin se nuk kanë bërë sa duhet që shkelësit e ligjit të marrin dënimin apo qoftë edhe të largohen nga puna.

“Na mungon llogaridhënia dhe transparenca. Qe gati 17 vjet liri dhe qe 8 vjet shtet, askush nuk u largua nga pozita apo nga detyra për mospunë, për mosefikasitet apo për korrupsion. Mungon raportimi dhe debati për raportet e punës. Këto raporte trajtohen nëpër komisione të ndryshme, por në asnjë rast në seancë plenare dhe para syve të publikut”, ka thënë Preteni.

Bazuar në raportet ndërkombëtare, përfshi edhe atë të Transparency International, që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

Ambasadori amerikan, Delawie, ka potencuar se korrupsioni është problem madhor, pamundëson përparimin politik, frikëson investimet dhe hapjen vendeve të punës e ç’është më e rëndësishmja gjymton moralin e qytetarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG