Ndërlidhjet

Ekonomia e ngathtë në vitet e shtetësisë së Kosovës


Edhe tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Ata thonë se pritjet kanë qenë të mëdha, se pas shpalljes së pavarësisë, do të ketë përmirësim të gjendjes ekonomike.

Sipas tyre, numri i vogël i investitorëve ndërkombëtarë, burokracia dhe korrupsioni edhe gjatë viteve të shtetësisë, kanë penguar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këto vite, Kosova është bllokuar në aspektin politik, ndërkaq në aspektin ekonomik, ka pasur ngecje.

Si problem kryesor gjatë këtyre viteve, Shahini përmend situatën e rëndë të sektorit privat, konkretisht industrisë së prodhimit.

“Kosova, tetë vjet pas pavarësisë nuk ka arritur që të rrisë një zhvillim të hovshëm ekonomik. Nuk e kemi parë Kosovën dhe ndërmarrësit kosovarë si ‘tigrat aziatik’, që kanë zhvilluar vende të ndryshme dhe kjo ka qenë pengesë kryesore e politikave fiskale, të cilat e kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, thotë Shahini.

E, më së shumti është zhgënjyese gjatë kësaj periudhe, është rënia e investimeve të huaja, investime këto për të cilat është pritur se do të rriten pas shpalljes së pavarësisë.

Edhe në këto vite, aktiviteti më i preferuar në Kosovë mbetet tregtia, sektor ky që nuk mund të konsiderohet si i leverdishëm për zhvillimin ekonomik sa prodhimtaria, që në Kosovë mbetet sektori më i pazhvilluar.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” thotë se në aspektin ekonomik ka një lëvizje, por kjo ngritje është larg nevojave të kërkesave të shoqërisë.

Gjatë shtetësisë së Kosovës, thotë ai, ka pasur rritje të eksportit, rritje të Bruto Produktit Vendor, por me normë shumë të ulët, që, siç thotë ai, nuk premtojnë tejkalimin e problemeve që janë të pranishme në rrafshin social.

“Mirëpo, ai që ka degjeneruar, ai që nuk ka funksionuar gjatë kësaj kohe, është pikërisht shteti; zbatimi i ligjit, efikasiteti i institucioneve dhe përgjithësisht krijimi i një klime të favorshme për biznese”.

Dhe, ajo ka reflektuar në mënyrën më të lartë, në çështjet zhvillimore, prandaj është edhe norma e ulët, e cila normë nuk garanton tejkalim të problemeve, punësim më të madh dhe zgjidhje të çështjeve sociale”, vlerëson Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtyre viteve Kosova është bërë anëtare në disa organizatat të huaja financiare, siç është Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kurse, janë nënshkruar disa marrëveshje ndërkombëtare për tregti të lirë,por ajo që cilësohet me rëndësi është Marrëveshja për Stabilizim-Asociim.

“Anëtarësimi në këto organizata ka krijuar një lehtësi, apo i ka dhënë Kosovës një legjitimitet ndërkombëtar në relacionet financiare, por edhe në relacionet komerciale”.

"Kurse, marrëveshjet tregtare për tregti të lirë, integrimet rajonale siç është CEFTA, nuk mund të kenë efekte të madh përderisa nuk kemi ekonomi konkurruese dhe nuk kemi ofertë të kërkueshme për ato tregje”, shpjegon Rexhepi.

Në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, papunësia ishte mbi 43 për qind, 15 për qind e popullatës së përgjithshme jetonin në varfëri ekstreme, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.
Ndërsa, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG