Ndërlidhjet

Agjencia Kosovare e Privatizimit padit uzurpatorët


Avni Jashari - Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së
Avni Jashari - Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së

Agjencia Kosovare e Privatizimit tashmë ka ngritur padi për disa persona fizik dhe juridik, të cilët mbajnë të uzurpuara pronat shoqërore që menaxhon kjo agjenci.Kjo e fundit, në fillim të javës, ka publikuar listën me 170 prona të uzurpuara aktualisht, nga 116 persona fizik dhe 54 persona juridik, si dhe llojet e aseteve dhe rajonet ku janë të uzurpuara ato.

Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se më kërkesë zyrtare të Policisë,ditën e hënë, AKP-ja i ka dërguar të gjitha detajet e nevojshme të personave që mbajnë pa autorizim pronat shoqërore të agjencisë.

“Dhe do të kërkohet asistenca e Policisë se Kosovës, sipas nenit 26 të Ligjit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas këtij neni, Qeveria e Kosovës, policia dhe organet tjera publike janë të obliguara të zbatojnë vendimet dhe t’i dalin në asistencë AKP-së, lidhur më administrimin e pronave shoqërore.”

“Ashtu siç i kemi larguar 120 uzurpatorë brenda një viti nga pronat shoqërore më ndihmën e policisë, në të njëjtën mënyrënedo t’i bashkërendisim veprimet më këto organe”, tha Jashari .

Për këtë çështje edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka pasur një takim më udhëheqës të policisë,ku është diskutuar lidhur me nisjen e hetimeve ndaj personave të cilët kanë marrë prona shoqërore pa autorizimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në një komunikatë për media, të dërguar të enjten nga Prokuroria e Shtetit, është theksuar se kushdo që pa autorizim, apo në mënyrë të kundërligjshme ka hyrë në objektet, të cilat janë në pronësi të Agjencisë Kosovaretë Privatizimit, apo të atyre që kanë lidhur kontratë me këtë agjenci, dhe nuk largohen nga ato objekte, sipas kërkesës së personave të autorizuar, ndaj tyre të fillohet procedura penale.

Ndryshe, Avni Jashari thekson se Agjencia Kosovare e Privatizimit, deri në fund të muajit mars do t’i trajtojë të gjitha pronat shoqërore të uzurpuara.

“Sipas një plani dinamik të agjencisë, të cilin e kemi në përpunim e sipër, pronat e mbetura, që janë rreth 170 prona të uzurpuara, të cilat ende nuk janë shitur, planifikohen të trajtohen deri në fund të muajt mars nga agjencia.”

“Ndërsa, sa i përket veprimeve të cilat do t’i ndërmmarrë policia apo prokuroria në aspektet tjera, ne nuk mund të komentojmë”, ka thënë Jashari.

Përveç 170 pronave të uzurpuara aktualisht, listat e uzurpatorëve të mëparshëm përmbajnë 632 asete të uzurpuara nga 499 persona fizik dhe 133 persona juridik.

Lloji i aseteve me numrin më të madh të uzurpimeve janë toka, lokale, toka bujqësore dhe pompa të karburanteve të naftës.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se publikimi i listave të uzurpatorëve aktual dhe të mëparshëm të pronave shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka nxjerrë në pah mosfunksionimin e ligjit në Kosovë për vite të tëra.

Ata madje kanë thënë se në këto lista gjenden emra të njerëzve të njohur për publikun, të cilët kanë qenë të lidhur në forma të ndryshme me nivelet e ndryshme të pushteteve, që nga paslufta e këndej.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG