Ndërlidhjet

Zgjedhja e presidentit vë në lëvizje faktorin ndërkombëtar


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi me përfaqësues të partive politike në vend
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi me përfaqësues të partive politike në vend

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë ditës së premte, ka pritur në takime të ndara zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O'Connell.

Temë e këtyre takimeve, sipas zyrtarëve nga Presidenca, ka qenë dalja nga kriza aktuale politike dhe mundësia e realizimit të një takimi tjetër të përbashkët mes partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare thonë se kryetarët e këtyre partive politike do t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes për takim të përbashkët me drejtuesit e koalicionit qeverisës vetëm nëse në rend dite do të ishin modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, megjithatë beson se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje, por do ta nisë procedurën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, konform Kushtetutës së vendit.

Këto komente Veseli i ka bërë pas takimit me kryetarin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi.

“Shumë shpejt do të ndodhë [zgjedhja e presidentit të ri], por, kur po them shumë shpejt, më 7 mars është limiti i fundit, që do të thotë se brenda muajit shkurt do të ndodhë”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit nuk ka dashur të flasë në lidhje me seancën në të cilën do të zgjidhej presidenti.

Dilemat që shtrohen kanë të bëjnë me atë nëse kandidati i koalicionit qeverisës për president, Hashim Thaçi, do të zgjidhej president në sallën kryesore apo alternative të Kuvendit, për shkak të protestave të opozitës.

Pikërisht nga tabori opozitar, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj konsideron se inicimi i procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, në rrethanat aktuale politike, do të ishte gabim i partive të koalicionit.

Sipas tij, spektri politik duhet ta arrijë një marrëveshje për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme. Haradinaj ka theksuar se zgjidhja e presidentit duhet të bëhet përmes votës së popullit.

“Është gabim nëse shkohet me procedurën e zgjidhjes së presidentit në Parlament. Insistimi i Thaçit që të zgjidhet president, në këso rrethanash, është shumë gabim. Tani momenti kohor i zgjidhjes së zotit Thaçi president nuk përkon me gjithë ata parametrat që ishte dashur me u bashku rreth dikujt që duhet me qenë president i vendit".

"Pra, kemi të bëjmë me njeriun që është identifikuar si i tillë; si nxitës, si shkaktar, si njëri nga kontribuuesit e krizës e polarizimit në shoqëri... prej atyre vlerësimeve se si e kemi gjendjen në korrupsion e vështirësi të tjera, tani edhe te problemet se vendi ka hyrë në një krizë të thellë, është shumë më pak me rëndësi se çka e gjen atë, sesa çka po e gjen vendin", ka theksuar Haradinaj.

Këto komente lideri i AAK-së i ka bërë gjatë një debati në lidhje me gjendjen aktuale politike në Kosovë, të organizuar nga Lëvizja Fol.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj ka thënë se e vetmja zgjidhje në Kosovë është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kurse, duke folur për protestën e paralajmëruar të partive opozitare, ai tha se nuk do të ketë qetësi, pa anulimin e marrëveshjeve; asaj me Serbinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, dhe asajme Malin e Zi për demarkacionin e vijës kufitare.

Të hënën, takimi i liderëve të partive politike në pushtet dhe në opozitë në Kosovë, i cili ishte organizuar me ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përfunduar pa ndonjë rezultat që do të shënonte përparim në drejtim të daljes nga kriza politike në vend.

Përfaqësuesit e ambasadave më me ndikim në Kosovë disa herë u kanë bërë thirrje partive politike, si atyre në pushtet, po ashtu edhe atyre të opozitës, që të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, dhe në këtë mënyrë t’i evitojnë zgjedhjet e parakohshme.

Partitë politike të opozitës po e kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG