Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshje për ndaljen e armiqësive në Siri


Fuqitë kryesore janë pajtuar për ndaljen e armiqësive në Siri dhe për zgjerimin e ndihmës humanitare te njerëzit e bllokuar nga konflikti, kanë thënë diplomatët e lartë.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, së bashku me kolegët e tij nga Rusia dhe Evropa, pas një takimi të mbajtur në Munih të Gjermanisë, ka shpallur se është arritur pajtueshmëri për implementimin e ndaljes së armiqësive në Siri, duke fillur brenda një jave.

“Kam kënaqësi të them se si rezultat, sot në Munih, ne besojmë se kemi bërë progres në frontin humanitar dhe në ndaljen e armiqësive. Pra, në të dy këto fronte, ky progres, ka potenical – implementim të plotë, për të qenë e mundshme të ndryshojnë jetët e përditshme të popullit të Sirisë”, tha John Kerry.

Ky armëpushim nuk do të vlejë për grupet esktremiste, Shteti Islamik dhe Fronti Al-Nusra, tha mbrëmë vonë, John Kerry.

“Ne jemi pajtuar ta implementojmë ndaljen e armiqësive në gjithë vendin, për të filluar brenda një jave. Kjo është ambicioze, por çdokush është i përkushtuar për të lëvizë sa më shpejtë që të jetë e mundshme në përpjekje për arritjen e kësaj. Kjo do të zbatohet te secila palë në Siri, me përjashtim të organizatave terroriste Shteti Islamik (Daesh) dhe al-Nusra”, tha John Kerry.

Zoti Kerry këtë marrëveshje e ka quajtur “pauzë” e jo “armëpushim”, për të cilën tha se do të ishte “shumë më e përhershme, një përfundim i konfliktit”.

Liderët e të ashtuquajturit Grup Mbështetës për Sirinë, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e fuqive kryesore botërore dhe rajonale në Lindjen e Mesme, po ashtu, janë pajtuar për “përshpejtimin dhe zgjerimin” e menjëhershëm të ndihmës humanitare në Siri, ka thënë zoti Kerry, dhe ka shtuar se të gjitha palët janë pajtuar t’i ripërtrijnë bisedimet formale në Gjenevë për arritjen e paqes në Siri, “sa më shpejtë që të jetë e mundshme”.

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, është shprehur se ndalja e armiqësive do të ketë sukses vetëm nëse Rusia i ndalë sulmet ajrore, me të cilat mbështetet avancimi i forcave qeveritare të Sirisë kundër opozitës rreth qytetit Alepo.

Sekretari Kerry dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do ta kryesojnë së bashku grupin e ri për ndihmën humanitare në Siri dhe grupin që do t’i krijojë “modalitetet” për armëpushimin e përkohshëm.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se marrëveshja për reduktimin e dhunës nëpërmjet ndaljes graduale të armiqësive, mund të konsiderohet kthesë madhore, vetëm nëse dëshmohet e suksesshme gjatë ditëve të ardhshme.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha se implementimi i marrëveshjes do të jetë “sfidë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG