Ndërlidhjet

Politika fajtore, për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Bazuar në raportet që masin perceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Dhe arsye e gjithë kësaj, besohet të jetë vetë politika dhe ndërhyrja e politikës në gjyqësor.

Kështu u tha në një konferencë rajonale më temë: “Mekanizmat institucional në luftën kundër korrupsionit”, të organizuar në Prishtinë nga Instituti Demokratik i Kosovës( KDI).

Visar Sutaj, nga ky Institut, ka thënë se institucionet e Kosovës po krijojnë agjenci dhe mekanizma për luftimin e korrupsionit, e deri te Këshilli i Presidentes, vetëm sa për t’u ikur përgjegjësive të tyre për luftuar korrupsionin.

Sutaj, ndërkaq, ka thënë se nëse seriozisht duhet të luftohet korrupsioni, prokuroria e shtetit, në radhë të parë, duhet të bëjë sanksionimin e zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve publik, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.

“Problemi është se më këtë ‘mbi vendosjen e institucioneve’, më shumë po përdoret nga politikanët që të krijohet përshtypja te qytetarët kinse është duke u bërë diçka në luftën kundër korrupsionit.”

“Por, në praktikë nuk është duke ndodhur asgjë. Këtë e kemi edhe me Agjencinë Kundër Korrupsionit, së cilës i mungon baza ligjore, pasi nuk ka bazë ligjore që të bëjë hetime më të thella, përveç atyre preliminare. Pastaj, të gjithë e dimë se ka edhe mungesë të kapaciteteve financiare dhe humane”, ka thënë Sutaj.

Raporti i fundit i Transparency International, i cili mbështetet në perceptimet e qytetarëve për korrupsionin, e nxjerr Kosovën në një shkallë të lartë të korrupsionit, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Në këtë raport të publikuar në fund të muajit të kaluar, Kosova është radhitur në vendin e 103-të, përderisa shtetet tjera të rajonit renditeshin nga numri 61 deri në të 88-tin.

Ndërkohë, në këtë konferencë është thënë se një trend i ngjashëm i krijimit të iniciativave dhe institucioneve të reja për luftimin e korrupsionit ndiqet në shumë vende ish-socialiste të Ballkanit, por që nuk kanë dëshmuar të jenë efektive në praktikë.

Anja Osterhaus, nga Transparency International në Berlin, ka thënë se po shihen përpjekje për të identifikuar fushat kryesore të angazhimit për luftimin e kësaj dukurie.

“Ne e dimë se kjo është një detyrë e madhe”, ka thënë ajo, duke kërkuar një front të përbashkët të organeve kompetente në luftimin e korrupsionit.

“Ajo që me të vërtetë kërkohet është që shumë akterë të punojnë së bashkë për të luftuar këtë dukuri,ngase është e pamundshme që një institucion i vetëm ta bëjë këtë. Nevojitet një përkushtim dhe bashkëpunim i shumë institucioneve”, ka thënë ajo.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues nga Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Turqia.

Dragan Slipac, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit për Bosnjë dhe Hercegovinë, ka thënë se agjencia e shtynë gjyqësorin t’i kryejë punët e veta, sepse organet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura dhe agjencia e pavarur.

Kurse në Turqi, nuk ekziston ndonjë Agjenci Kundër Korrupsionit, ka thënë Muhittin Acaar, profesor i administratës publike nga Turqia.

Ai ka shtuar se për dallim nga korrupsioni politik, ‘korrupsioni i vogël’, siç e quan ai, duke aluduar në korrupsionin e nivelit të ulët, në 2-3 vitet e fundit në Turqi ka shënuar rënie.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG