Ndërlidhjet

Pas diplomimit, në shtëpi, s'ka punë


VOX me studentë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

VOX me studentë

Në shtetet me ekonomi të zhvilluar dhe me shkallë të ulët të papunësisë, studentët pas diplomimit nuk e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vend pune, por kjo nuk ndodh në Kosovë.

Studentët e anketuar në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, janë mjaft skeptikë se pas përfundimit të studimeve do të mund të gjejnë një vend pune. Për të gjetur një vend pune, kanë hasur në vështirësi edhe studentë, të cilët tashmë kanë diplomuar.

Ylli Llonçari, i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në departamentin Banka dhe Financa, tregon se ende nuk ka arritur të gjejë një vend pune që kur i ka përfunduar studimet para një viti.

“Kam pasur intervista kohëve të fundit, por jam i dëshpëruar, është konkurrencë e madhe dhe ka shumë pak shanse që një ekonomist të depërtojë në tregun e punës. Duhet të jesh i kualifikuar më shumë. Të duhet ndoshta ta përfundosh edhe shkollimin master, pasi që në çdo konkurs pune e kërkojnë edhe këtë. Po ashtu kërkohet edhe përvoja e punës”, tregon ai.

Ylli thotë se ka filluar të ndjekë edhe studimet master, që siç shprehet ai, ta ketë më të lehtë ndoshta punësimin në të ardhmen.

Të rinjtë në Kosovë janë të informuar shumë mirë për vështirësitë që ka Kosova për hapjen e vendeve të reja të punës, por që shpresat për të gjetur një vend pune kanë mbetur te përfundimi i studimeve në fakultet.

Albulena Troni është një nga ata studentët që studiojnë në dy fakultete. Ajo studion Gjuhën Shqipe dhe Shkencat Politike.

Pas përfundimit të studimeve ajo konsideron se do të jetë e përgatitur mjaft mirë për tregun e punës.

“Ende nuk i kam përfunduar studimet dhe nuk e di. Tani deri sa jam duke studiuar, kam kërkuar që të gjej punë, por ka qenë mjaft e vështirë. Por, pres që sapo të diplomoj, të punësohem”, shpreson Albulena.

Ngjashëm, shprehet edhe Sara studente në Fakultetin Filozofik:

“Unë studioj në drejtimin Punë Sociale. Mendoj që këtë profesion e kërkon tregu i punës dhe nuk do të ishte e vështirë të punësohem, por që në Kosovë del të jetë e vështirë. Megjithatë, shpresoj të gjej punë pas diplomimit”.

Diploma universitare figuron si parakusht në shumicën e konkurseve për punë në Kosovë, por të rinjtë shprehen skeptikë për rolin që ka diploma në punësim.

Hekuran Selimi, student në Universitetin e Prishtinës konsideron se për t’u punësuar, më së paku të duhet diploma:

Ai thotë se nepotizmi apo lidhjet familjare janë ato që të krijojnë mundësi për t’u punësuar dhe jo diploma.

“Kam aplikuar në tri konkurse për vende pune dhe në asnjërin nga to nuk kam arritur të punësohem, pasi që gjithçka ka shkuar përmes lidhjeve familjare, apo përmes partive politike”, thekson Heurani.

Në një hulumtim të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP),thuhet se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.

Numri më i madh i studentëve të diplomuar në Kosovë vjen nga Fakulteti Ekonomik dhe kjo, sipas disa të rinjve, e bën më të vështirë që të gjithë ata persona të diplomuar, të punojnë në profesionin e tyre si ekonomistë.

Besian Krasniqi, i cili studion në Fakultetin Ekonomik, mendon se do ta ketë shumë vështirë punësimin, duke pasur parasysh numrin e madh të studentëve që po diplomohen në këtë fakultet

“Duke pasur parasysh që shumë studentë janë regjistruar në Fakultetin Ekonomik dihet që edhe konkurrenca është e madhe. Ndoshta hyn diku në punë, por jo ndoshta aty ku ke pasur dëshirë të punosh”, thotë ai.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Supozohet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Sipas rezultateve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2014,shkalla e papunësisë është rritur në 35,3 për qind, nga 30 për qind sa ishte në vitin 2013.

XS
SM
MD
LG