Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas vendimit të shpallur nga Gjykata Kushtetuese.
Këto komente, Mustafa i ka bërë pas kthimit nga Brukseli, ku ai të mërkurën zhvilloi takimin e radhës me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.
Mustafa ka theksuar me këtë rast se në takim është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme në dialogun Serbi – Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Mustafa ka thënë se në takimin e fundit janë fokusuar në tri tema kryesore.
“Është biseduar për zbatimin e marrëveshjes për diplomat, për çfarë është arritur pajtueshmëria. Po ashtu edhe për lirinë e lëvizjes, ku janë përafruar çështjet. Ndërkaq është trajtuar edhe çështja e procedimit lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, jo të negocimit të saj”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, themelimi i Asociacionit do të bëhet vetëm sipas aktgjykimit të shpallur tashmë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kurse ka bërë me dije se krahas agjendës të hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet ta procedohet edhe me agjendën e zhbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.