Ndërlidhjet

Kosova ende pjesërisht e lirë


Ilustrim
Ilustrim

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, mbi të drejtat politike dhe liritë civile, Kosova është radhitur si pjesërisht e lirë, edhe për vitin 2015.

Të njëjtën radhitje kanë edhe Shqipëria, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi; Serbia është radhitur në kategorinë e vendeve të lira.

FH ka vlerësuar gjithsej 195 vende, nga të cilat 86 janë radhitur si të lira, 59 si pjesërisht të lira, dhe 50 si jo të lira.

Në raport thuhet se Kosova, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina, në vitin 2015, kanë vuajtur nga qeverisja jofunksionale.

“Në Kosovë, ligjvënësit kanë kundërshtuar njërën nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kanë penguar në vazhdimësi debatin parlamentar duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit dhe duke sulmuar me vezë zyrtarët qeveritarë”, thuhet mes tjerash në raportin e Freedom House.

Forcat politike në opozitë kanë kundërshuar ashpër marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, të arritur më 25 gusht të këtij viti, duke e cilësuar atë si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës. Njëjtë është cilësuar edhe marrëveshja që ka të bëjë me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në Maqedoni, Freedom House vlerëson se partia në pushtet është implikuar në mashtrim zgjedhor dhe në një skandal përgjimesh masive, duke krijuar kështu një hendek të hidhur politik me opozitën dhe duke nxitur ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2016.

Në Bosnjë e Hercegovinë, ndërkaq, FH vlerëson se qeveria e këtij vendi vazhdon të jetë e paaftë për të adresuar obstruksionizmin e vazhdueshëm dhe korrupsionin endemik, që ka përfshirë vendin.

Në rrafshin global, raporti i FH-së vlerëson se viti 2015 ka qenë viti i dhjetë me radhë, gjatë të cilit është shënuar rënie në lirinë globale, duke cituar këtu edhe sulmet terroriste që kanë ndodhur gjatë vitit 2015.

Raporti përmend edhe atë që Freedom House e quan paaftësi të Evropës për të menaxhuar fluksin e azilkërkuesve nga Siria dhe zonat tjera të konfliktit, dukuri kjo e cila është shfrytëzuar si pretekst nga popullistët për të ngritur mure ndaj konceptit të Bashkimit Evropian dhe vlerave liberale dhe universale që ai përfaqëson. [a.v.]

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG