Ndërlidhjet

Numri i përdoruesve të narkotikëve, në rritje


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë, organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike vlerësojnë se vitin e fundit vërehet një ngritje e lehtë e të rinjëve që konsumojnë drogë.

Ata thonë se mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë është kryesisht e re [16], si në zonat urbane po ashtu edhe ato rurale.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se droga si ajo kanabis ka një trend të rritjes në përdorim.

"Kanabisi po vazhdon të ketë një trend të lehtë të rritjes të përdorimit në terë territorin e Kosovës. Megjithatë, është lajm i mirë që heroina ka stagnim të përdorimit. Kokaina ka një qëndrueshmëri ose nuk ka ndonjë lëvizje nga vitet e më hershme edhe pse kohët e fundit janë paraqitur rastet e para të cilët kanë probleme si pasojë e përdorimit të kokainës".

"GHB droga e cila është kryesisht e shtrirë në Prishtinë po ashtu përdoret. Prej atyre drogave të reja nuk kemi hasur në ndonjë rast", tha Blakaj.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri të shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që sipas tyre ky është një shqetësim.

Zoti Blakaj mendon se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucional bën që kjo çështje të mos parandalohet.

Ai mendon se me një koordinim më të mirë të institucioneve të cilat merren me këtë problematikë, mund të zvogëlohet përdorimi i drogave në Kosovë.

"Mundet të ketë ndonjë problem të koordinimit mes institucioneve, jo vetëm në institucionet e sigurisë, por edhe institucioneve të cilat merren me zvogëlimin e kërkesës së parandalimit dhe trajtimit. [Janë] disa hallka që nuk funksionojnë bash mirë në mënyrë që t'i dalin në ball problemit të drogës në Kosovës", tha Blakaj.

Kosova vite më parë ka miratuar strategjinë për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të krimit të organizuar, drogave, terrorizmit dhe ruajtjes së kontrollit të kufirit shtetëror.

Kjo strategji sipas zyrtarëve qeveritarë, ka krijuar mekanizma të nevojshëm në pajtim me standardet ndërkombëtare, për luftimin e dukurive negative.

Përmes strategjisë kundër drogave dhe Planit të Veprimit 2012-2017, të miratuar kohë më parë, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjellë me vete kjo dukuri.

Në strategji përmenden ndër të tjera, reduktimi i kërkesës, zvogëlimi i dëmit, parandalimi, edukimi, trajtimi dhe rehabilitimi, si dhe ndjekja e ndëshkimet.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se bazuar në strategji, por edhe në planet e tjera të veprimit, policia po i kryen aktivitetet e saj në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie.

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se për parandalimin e drogës në Kosovës bëhet një luftë e ashpër.

"Detyra e policisë është për të vështirësuar qarkullimin e drogës në asnjë shtet, madje edhe policitë me të forta nuk mund ta ndalojnë tërësisht qarkullimin e drogës, por megjithatë, përpjekja jonë e ka vështirësuar qarkullimin e drogës përmes territorit të Kosovës, por edhe konsumimin e substancave narkotike narkotike", tha Shala.

Zoti Shala ka hedhur poshtë pohimet se të interesuarit për substanca narkotike lehtë mund të arrijnë t'i gjejnë ato dhe t'i konsumojnë.

Në raportet e mëhershme të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, është thënë se Kosova është kryesisht shtet tranzit për drogat.

Sidoqoftë, drejtuesit e qendrave për rehabilitimin e përdoruesve të drogave, thonë se viteve të fundit vërehet ngritje e numrit të rasteve që kanë probleme me keqpërdorimin e drogave të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG