Instituti Demokratik i Kosovës, organizata e vetme joqeveritare e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka konstatuar se viti 2015 ka qenë një vit joefektiv për Kuvendin dhe nuk ka arritur që të përmbush agjendën legjislative, ashtu siç ishte paraparë.
Kuvendi i Kosovës deri në fund të vitit 2015 ka arritur të realizojë vetëm 34 për qind të punës legjislative.
Në një konference për media, Albert Krasniqi tha para gazetarëve se viti 2015 për Kuvendin, ka qenë vit i karakterizuar me polarizime të skajshme ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, që rezultuan me krizën më të madhe politike në vend.
Kundërshtimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë pikat kulmore të kësaj përplasje, tha Krasniqi.
“Përmbushja e ulët [e agjendës] që ka ndodhur deri në fund të vitit, nuk është krejt rezultat i krizës politike që pasoj në sesionin vjeshtor, por kjo krizë e ka përcjellë Kuvendin qysh në fillim të kësaj legjislature”, shtoi ai.
Sipas të dhënave nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi gjatë vitit 2015 ka miratuar 47 projektligje nga gjithsej 138 të parapara.
Nga ligjet e miratuara, 13 kanë qenë ligje të sjella për plotësim nga Qeveria. Në procedurë të komisioneve parlamentare kanë mbetur në shqyrtim edhe 24 projektligje, kurse 67 projektligje tjera nuk janë iniciuar fare.
Krasniqi tha se mungesa e transparencës së Qeverisë se Kosovës ndaj Kuvendit, në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, pati për pasojë bllokimin e jetës parlamentare përgjatë gjithë sesionit vjeshtor.
Ai tha se deputetët opozitarë kanë penguar mbajtjen e seancave plenare me përdorimin e gazit lotsjellës në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Sipas tij edhe pse kishte kontrolle të shtuara në hyrje të Kuvendit nuk është arritur të parandalohet futja e gazit lotsjellës në ambientet e brendshme, gjë që përbën dështim të institucioneve të sigurisë.
“Prania e Policisë së Kosovës ka qenë e tepruar në ambientet e Kuvendit dhe jashtë asaj që kemi parë deri tash, ka qenë një lloj militarizimi i Kuvendit”, tha Krasniqi.
Albert Krasniqi i cili është menaxher i projekteve në KDI, tha se ndikimi i ekzekutivit në legjislativ ka vazhduar gjatë gjith vitit.
“Qeveria ka pas ndikim të shtuar në punën e Kuvendit si në emërime të cilat janë bërë, ne diktimin e seancave plenare, duke kërkuar seanca të jashtëzakonshme përkundër që Kuvendi kishte vendosur që të mos mbaj seanca deri sa nuk garantohet një siguri më e madhe prej deputetëve që e kishin paraqitur edhe përmes formës së shkruar ne kryesi të Kuvendit”, tha Krasniqi.
Mosefikasiteti i punës në Kuvendin e Kosovës, do të ketë efekte negative në shumë drejtime, deklarojnë përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ata konsiderojnë se pasojat nga mosfunksionimi i Kuvendit, do t’i bartin drejtpërdrejtë qytetarët e vendit.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, pati thënë se me mosfunksionimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht nga mosmiratimi i ligjeve, pëson shteti, në përgjithësi.
“Janë hapa prapa ose cenime të konsolidimit të institucioneve. Kjo vjen si rrjedhojë e krizës së vitit të kaluar, nuk buron nga tash. Pastaj janë çështjet legjislative që kanë të bëjnë direkt me jetën e qytetarëve. Agjenda e Kuvendit ka paraparë kalimin e 132 ligjeve", është shprehur Rashti.
Kuvendi i Kosovës sidomos gjatë sesionit vjeshtor kishte hyrë në një prej periudhave më të vështira të funksionimit, ndërkohë që raportet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës vazhdojnë të jenë të tensionuara.