Ndërlidhjet

DASH: Demarkacioni me Malin e Zi, është në përputhje me Kushtetutën


Ilustrim
Ilustrim

Departamenti amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar vijën përkufizuese të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Përmes një komunikate për shtyp, Departamenti thotë se “e kupton se bazë për demarkacion, Komisioni ka shfrytëzuar Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974, e cila ka definuar kufijtë e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, të ndara në zona kadastrale”.

“Kjo bazë e shenjimit është shfrytëzuar gjithashtu edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari, më 2007 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 2008”.

“Pas shqyrtimit të hartave nga vitet 1940-ta e deri më tash, përfshirë këtu edhe ato që janë shfrytëzuar nga komisioni për demarkacionin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar se kufiri i shenjuar së voni është në përputhje të ngushtë me Kushtetutën e vitit 1974”.

“Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në detaje me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Komunikata përfundon me shënimin se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.

Shenjimi aktual i kufirit me Malin e Zi po kundërshtohet fuqishëm nga subjektet politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat thonë se " marrëveshja dëmton tërësinë territoriale të Kosovës".

Së bashku me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshja për demarkacionin është përmendur nga opozita, si arsye për bllokimin prej tre muajsh të punimeve të Kuvendit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG