Ndërlidhjet

Maqedoni: Politikat e Qeverisë, fajtore për largimin e investitorëve të huaj


Ilustrim
Ilustrim

Investimet e huaja në Maqedoni vazhdojnë të shënojnë rënie, pavarësisht deklarimeve të Qeverisë se Maqedonia mbetet lidere, sa i përket politikave të mira ekonomike e që sipas saj, kanë sjellë investime madje edhe nga shtetet e fuqishme, si Britania e Madhe, Italia, Belgjika, Gjermania e SHBA-ja.

Por, të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë flasin se investimet e huaja kanë shënuar rënie në nëntë muajt e parë të vitit dhe bazuar nga të dhënat e publikuara, me këtë ritëm negativ pritet edhe të përfundojë ky vit.

Në periudhën, janar-shtator janë regjistruar 116 milionë euro investime të huaja, apo 40 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur u regjistruan 154 milionë euro.

Madje, jo vetëm që janë ulur investimet e jashtme, por edhe një kompani e fuqishme nga Britania e Madhe, ka vendosur të largohet nga Maqedonia, ndërsa një tjetër nga India ka dështuar në investimin e saj, për shkak të përfshirjes në afera korruptive në vendin e saj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, të dhënat e tilla tregojnë se politikat e Qeverisë së Maqedonisë në sferën e investimeve të jashtme, janë të gabuara dhe se qasja duhet të ndryshojë nëse dëshirohet zhvillimin e vendit.

“Para numrave edhe zotat heshtin. Nuk mund të kërkoni rritje të investimeve në një shtet ku gjyqësia gjithmonë është në shënjestër të kritikave, kurse korrupsioni në përmasa alarmante. Kjo dëshmon se elementet, me të cilat lavdërohet Qeveria para të ashtuquajturit ‘Të bërit biznes’, nuk janë vendimtare për tërheqjen e investimeve të huaja”, thotë Sllobodan Najdovski, ish-deputet dhe njohës i zhvillimeve ekonomike.

Nga ana tjetër, Zoran Ivanovski, profesor i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se tërheqja e investimeve të jashtme vështirë se do të mund të realizohet dhe se në këtë ndikojnë shumë faktorë, si stabiliteti politik, luftimi i dukurive negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar, mosnxitja e kompanive vendore, por edhe tregu botëror ku gjendja nuk është edhe aq e volitshme.

“Kemi një gjendje aspak logjike ku investitorët vendorë janë në pozitë të pabarabartë. Pra, sipas meje, më e rëndësishme për zhvillimin ekonomisë është që ekonomia kombëtare të orientohet kryesisht tek investitorët vendorë. Normalisht se investimet e jashtme janë shumë të dobishme, por assesi nuk duhet të anashkalohen bizneset vendore, siç ndodh aktualisht me politikat e Qeverisë aktuale”, vlerëson Ivanovski.

Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se Maqedonia, përveç se me mungesën e investimeve të huaja, përballet edhe me ulje të eksportit, papunësi dhe varfëri, e cila është në rritje e sipër, me gjithë deklarimet e Qeverisë për mirëqenie të qytetarëve.

“Kemi rënie ekonomike, rënie të industrisë. Çdo i treti qytetar i Maqedonisë jeton në varfëri, apo në prag të varfërisë, gjithashtu kemi edhe ulje të eksportit. Të gjithë këta indikatorë makroekonomik flasin se Maqedonia po përballet me një gjendje të rëndë ekonomike”, thekson Zeqiri.

Ekspertët thonë se gjendjen ekonomike e ka rënduar edhe më shumë kriza politike, e cila ka nxjerr në sipërfaqe dyshime të shumta për përfshirjen e qeverisë në kriminalitet të paparë deri më tani.

Ata thonë se gjendja mund të fillojë të përmirësohet vetëm pas zgjedhjeve të prillit, me kusht që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, në të kundërtën ata presin përkeqësim edhe më të madh të gjendjes së përgjithshme në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG