Ndërlidhjet

Të varur nga produktet e huaja


Ilustrim
Ilustrim

Më shumë se gjysma e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës, vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Sipas statistikave zyrtare, deri në muajin korrik, vlera e përgjithshme importit ka arritur 1.4 miliard euro, kurse shuma e eksporteve për gjatë kësaj periudhe është 198 milionë euro.

Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të statistikave ekonomike, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë vitit të kaluar importi ka arritur vlerën më të lartë.

“Eksporti në vitin 2014 ka arritur në 324 milionë euro, kurse importi ka arritur në shifrat më të larta, në mbi 2.5 miliard euro. Ajo që është karakteristike në vitin e kaluar, shihet se edhe eksporti edhe importi ka pasur një rritje, krahasuar më vitin paraprak”, thotë Berisha.

Serbia vazhdon të ketë përqindjen më të madhe të produkteve në tregun e Kosovës, vetëm vitin e kaluar shuma e mallrave të importuara nga ky shtet ka arritur në 368 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 272 milionë euro.

Për ekspertët për çështje ekonomike, ky fenomen është shqetësues, pasi, sipas tyre, autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma dhe të ndihmojnë sektorin e prodhimit në mënyrë që të zvogëlohet niveli i importit.

Muhamet Ymeri, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, konsideron se Kosova eksporton produkte në vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës deri në 13 për qind, kurse pjesa tjetër importohet.

Ymeri, i cili njëherësh është edhe nënkryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, deklaron se zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese është domosdo për rritjen e nivelit të eksportit, por që kjo fushë nuk është përkrahur nga autoritetet vendore.

“Prodhimi ka mbetur në pikën zero, nuk mund të themi se nuk ka pasur rritje, por në mënyrë të mjaftueshme apo një qasje më serioze ka munguar nga autoritetet kompetente”.

“Mundësitë për zhvillim, jo se nuk kanë qenë të favorizuara, por kanë ngecur. Megjithatë, ndryshimet e fundit ndoshta premtojnë më tepër. Por, në realitet nuk shihet asgjë konkrete”, thekson Ymeri.

Problem tjetër në këtë kuadër, sipas përfaqësuesve të organizatës joqeveritare “Konsumatori”, është se vetë shoqëria është bërë e varur nga produktet e huaja, e sidomos nga produktet e Serbisë.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i kësaj organizate, thekson se kjo varshmëri në një mënyrë po imponohet nga kompanitë importuese për interesa të tyre materiale.

“E vërteta është se një pjesë e mirë e kompanive, bizneseve importuese apo marketeve, janë shumë ngushtë të lidhura me prodhuesit nga Serbia. Dhe, ne dyshojmë se disa prej tyre janë krijuar nga ortakëria ose (nga të qenët) aksionar me individë të ndryshëm nga Serbia. Dhe, konsumatorit në këtë mënyrë po i imponohet varshmëria nga produktet e huaja, sidomos të Serbisë”, thekson Kaçaniku.

Sidoqoftë, në kuadër të gjithsejimporteve, me rritje janë karakterizuar kategoria e produkteve ushqimore, importet e metaleve bazë, importet e plastikës dhe gomës dhe importet e mjeteve të transportit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG