Ndërlidhjet

Fondi për Garanci Kreditore, lehtësim për biznese


Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të adresojë problemet kryesore të bizneseve, një prej të cilëve është qasja në financa.

Fondi, i cili ka rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vjetët e para të rrisë mundësinë për kredi të reja në rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.

Koncept-dokumenti për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është miratuar të mërkurën nga qeveria e Kosovës, ndërkaq shumë shpjetë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të iniciojë Projekt Ligjin për Themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive për diskutim tek institucionet e Qeverisë se Kosovës.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertët e çështjeve ekonomike, këtë fonde konsiderojnë si hap të qëlluar, që krijon mundësi për investime dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, (AKB) e vlerëson projektin në fjalë, por thotë se ende është e paqartë mënyra e realizimit të tij.

“Prandaj çdo vendim duhet harmonizohet më kushtet reale, me kërkesat reale, me konkurrencën që është në treg të Kosovës, por njëkohësisht edhe mundësitë që mund të realizohen ato ligje dhe ato mundësi të reja. Pra ne si AKB e vlerësojmë si një hap të mirë, por që duhet edhe shumë hapa deri sa të vjen në zbatim”, thekson Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Ymer Havolli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është shumë e rëndësishme që institucionet po marrin përgjegjësi për nxitjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për krijimin e një ambienti të mirë për to.

“Do të thotë bizneset do të kenë një adresë në të cilën do të mbështeten për kushtet më të mira të kreditimit. Do të kenë një adresë të institucioneve që është në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur forma dhe mënyra për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe hapjen e vendeve të reja të punës".

"Pra Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë një plan jashtëzakonisht të mirë, i cili do të ketë mundësi zhvillimore dhe hapjen e vendeve të reja të punës sigurisht”, ka thënë Havolli.

Sidoqoftë, nëse vërtet fillon zbatimi i këtij Fondi, Agim Shahini thotë se do të ndihmojë zhvillimin e veprimtarive të bizneseve private në Kosovë.

“Kjo është një nga objektivat e këtij dokumenti, që në mungesë të kolateralit të jepet një mundësi tjetër. Shumë biznese nuk kanë kolateral, dhe nuk mund të zhvillohen. Pra nëse ky koncept dokument, do të realizohet ashtu siç po paraqitet do të ndihmojë shumë biznese në rritjen, zhvillimin e aktiviteteve të punës se bizneseve qoftë ato fillestare apo ekzistuese”, ka thënë Havolli.

Ndryshe, normat e larta të interesit për kredi, kërkesat e shumta për aplikim duke përfshirë këtu edhe hipotekën, të aplikuara nga bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht janë vlerësuar pengesë për zhvillimin e veprimtarive të bizneseve në vend.

Ndërkaq, fondi garantues kreditor, thuhet se do të mbulojë 50 për qind të kolaterialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në mënyrë automatike do të zbres deri në 50 për qind të rrezikut për bankat.

Ky veprim, sipas Ymer Havollit do të lehtësojë bizneset që të kenë qasje më të lehtë në kredi.

“Sigurisht që duhet ti bëhet konkurrencë industrisë bankare për shkak se kjoindustri ka vënë norma enorme për bizneset. Prandaj është hap i mirë, që në këtë rast do t'i ofrojë dhe mundësojë që të mbulojë këto kolaterale me kushte shumë më të mira, siç është 50 për qind”, tha Havolli.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG