Kosova nuk duhet të lejojë që ideologjitë ekstremiste të rrezikojnë tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, është thënë të enjten në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare në Prishtinë.
Kjo është konferenca e katërt e këtij lloji, ku po marrin pjesë përfaqësues të religjioneve dhe institucioneve, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte mysafire e posaçme e kësaj konference, ka thënë se toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi duhet të jenë vlera të shoqërisë në Kosovë.
Ajo i ka kushtuar rëndësi sidomos ruajtjes së rinisë nga tendencat ekstremiste, që shpesh provohen të infiltrohen përmes religjioneve.
"Ne duhet të konfrontohemi me ekstremizmat e çfarëdo lloji dhe me ndikimet që ata mund të kenë mbi të rinjtë tanë. Prandaj, nevojitet angazhimi ynë i plotë, i shoqërive tona, në hapjen e perspektivave për të rinjtë, në ngritjen e nivelit të arsimimit dhe në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës. Religjioni është pikërisht këtu për të ndihmuar këtë angazhim për një të ardhme më të mirë", ka thënë Jahjaga.
Ndërkaq, Ejup Ramadani, shef i kabinetit të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, ka theksuar se liria e besimit dhe manifestimi i tij janë një vlerë globale, sikurse arsimimi dhe edukimi që nuk kanë alternativë.
Ai ka kërkuar që indoktrinimi i të rinjve duhet të demaskohet në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë në kultivimin e religjionit.
"Ne jemi një vend i vogël e me një të kaluar të hidhur. Por, edhe ajo e kaluar na e kujton një vlerë të çmuar e të rrallë, që ne me krenari e bartëm brez pas brezi, e ajo është harmonia ndërfetare. Por, sot jemi në rrethana të reja, në sfida të reja, shpesh edhe të padëgjuara më parë. Feja si pjesë e kulturës së shoqërisë ofron përkrahje në përballjen me këto sfida që mund ta rrezikojnë gjithë atë që është arritur deri më sot", ka thënë Ramadani.
Me mesazhe për tolerancë e bashkëjetesë është prezantuar në fjalimin e tij edhe përfaqësuesi i kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq.
Ai ka thënë se shumetniciteti dhe diversiteti fetar në Kosovë duhet të shihen si pasuri dhe jo si pengesë.
"Shoqëria, e cila di se si t'i respektojë dallimet dhe, në të njëjtën kohë, është gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e saj, dëshmon se është e pjekur politikisht", ka thënë Janjiq.
Kurse, e kundërta e kësaj, sipas tij, rrezikon që ta mbajë Ballkanin Perëndimor të izoluar dhe në konflikt.
Famullitari i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, Dom Lush Gjergji, ka cituar me këtë rast një thënie të Papa Gjon Palit të Dytë, ku ai ka trajtuar aspektet e krimeve që njerëzit mund t'i kryejnë duke u thirrur padrejtësisht në Zotin.
"Urrejtja dhe vrasja e njeriut është krim. E krimi i krimeve është kur ajo bëhet në emër të Zotit", ka thënë Dom Lush Gjergji.
Një konkludim i përbashkët i liderëve fetarë ishte se kjo pjesë e Evropës, sikurse edhe pjesët tjera në gjithë botën, po ballafaqohen edhe me ide ekstremiste, të cilat mundohen që të përdorin fetë për qëllimet e tyre politike.
Qëllimi i saj pritet të jetë adresimi i mesazheve në kohën kur ekstremizmi fetar po shënon rritje dhe është shndërruar në një problem global.
Kurse, sa i përket Kosovës, është thënë se është me rëndësi që të potencohet se toleranca dhe mirëbesimi janë kultivuar për shumë kohë dhe se të rinjtë nga ky vend nuk duhet lejuar të indoktrinohen dhe përfshihen në luftërat në Siri e Irak, në krahë të atyre që promovojnë ekstremizmin fetar dhe si mjet zgjedhin edhe terrorizmin.