Lideri ultra-nacionalist i Serbisë, Vojisllav Sheshel, ka thënë të enjten se do të nis një betejë gjyqësore në Serbi për të luftuar kundër cilitdo vendim që do ta kthente atë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte, në Hagë.
Në një intervistë për Associated Press, Sheshel ka thënë se nuk e ka ndërmend të kthehet vullnetarisht në Hagë, por se nuk do të ikë dhe as të fshihet. Ai ka thënë se do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës ndaj ekstradimit, bazuar në ligjet e Serbisë.
Sheshel akuzohet për rekrutim të forcave paraushtarake gjatë luftërave në Ballkan.Ai qe liruar me kusht në nëntor të vitit të kaluar për trajtim mjekësor në Serbi, por gjykatësit kanë marrë vendim se Sheshel ka shkelur kushtëzimet e vëna dhe se duhet të rikthehet në burg.
Autoritetet në Serbi kanë thënë se janë ende duke pritur urdhërin formal për arrestim nga Tribunali i Hagës.
Ai i është dorëzuar Tribunalit në vitin 2003 dhe procesi gjyqësor kundër tij ka qenë i ndërprerë disa herë.
Prokurorët e Tribunalit kanë kërkuar dënim me heqje lirie prej 28 vjetësh, duke thënë se ka ndihmuar në shtimin e dhunës etnike kundër komuniteteve joserbe.