Ndërlidhjet

Shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve


Orari i stërzgjatur i punës, mungesa e kontratave të punës, pagesa jo e rregullt, janë vetëm disa nga shkeljet që punëdhënësit në Kosovë iu bëjnë punëtorëve të tyre.

Këto shkelje të të drejtave të punëtorëve janë evidentuar nga mekanizmat në Kosovë që merren më mbrojtjen e punëtorëve

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë të kënaqur me nivelin e respektimit të të drejtave të punëtorëve, në veçanti të atyre që punojnë në sektorin privat.

Ai tregon se niveli më i ulët i respektimit të të drejtave të punëtorëve është në sektorin e ndërtimtarisë.

“Por gjithashtu ka probleme edhe tek kompanitë që merren me shërbime të ndryshme e në veçanti tek kompanitë e sigurimeve fizike dhe ato të pastrimit. Në këto ka probleme më pagën dhe orarin e punës. Këto kompani duke marrë pjesë në tender të ndryshme që japin institucionet shtetërore ku konkurrojnë me çmime të ulëta nuk arrijnë të nxjerrin përftime të veta dhe ata këtë e reflektojnë tek mos pagesa e punëtorëve dhe tek zgjata e orarit të punës”, tregon Ibrahimi.

Gjatë inspektimeve që janë bërë në vitin e kaluar Inspektorati i Punës ka arritur të legalizojë 2,715 punëtorë të cilët kanë punuar në mënyre jo formale si dhe 336 subjekte ekonomike të cilat aktivitetin e tyre e kanë ushtruar gjithashtu në mënyre jo formale.

Po ashtu, në vitin 2014, Ibrahimi tregon se gjatë inspektimeve që ju kanë bërë kompanive kanë bërë mbi 1,500 vërejtje më shkrim për kompanitë që kanë shkelur të drejtat e punëtorëve.

“Prej këtyre 1500 vërejte që janë shqiptuar janë konstatuar shkelje të caktuar që iu janë bërë punëtorëve. Në të shumtën e rasteve shkeljet e konstatuar janë eliminuar,por aty kur nuk janë eliminuar Inspektorati ka shqiptuar gjoba. Janë 171 gjobat të shqiptuara”, thekson Ibrahaimi

Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e punës, kapin shumën deri në 35 mijë euro.

Ligji i punës në Kosovë ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2011.

Megjithatë, ky ligj thotë kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi nuk është duke u zbatuar dhe se nuk janë të kënaqur aspak me trajtimin që iu bëhet punëtorëve në sektorin privat.

“Ka shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve, ka njerëz pa kontrata pune, orari i stërzgjatur i punës, mospagesa me rregull, mos dhënia e pushimet gjatë ditëve të festave, mos dhënia e pushimit vjetor dhe shumë të drejta tjera po iu shkelen punëtorëve nga punëdhënësit”, thekson Arifi.

Përveç Ligjit të Punës, në aspektin legjislativ, punëtorët mbrohen edhe me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës.

Sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 302 mijë persona, nga kjo 80 mijë në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG